TIRANË-Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja hetimore e SPAK, siguruar nga ZËRI, lidhur me goditjen e rrjetit kriminal të grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit, me furnitor dhe një rol kryesor të Salvatore Aliu. Në bisedat e zbërthyera në aplikacionin Sky Ecc, zbardhet edhe mënyra se si vëllezërit Shpëtim dhe Isa Aliu tentuan të investonin dhe të pastronin të ardhurat e përfituara nga trafiku i drogës.
Fillimisht vëllezërit u fokusuan në biznesin e supermarketeve “Road Hause”, duke krijuar një zinxhir marketesh, por aktiviteti nuk rezultoi fitimprurës. Në një bisedë të zhvilluar në “Sky”, Shpëtim Aliu i shprehet vëllait të tij Isa: “Me marketet më humbe 3 milionë euro, futju ndërtimit”, duke lënë të kuptohet se sektori i ndërtimit shihej prej tyre si një mënyrë më e favorshme për investim.
Sipas dosjes Isa Aliu, dyshohet se ka luajtur rol kyç në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave kriminale, përmes disa bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Salvadore Aliu, dyshohet see ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit. Ai dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, duke u ndihmuar nga vëllai i tij Isa Aliu. Në komunikime të zbardhura nga platforma SKY ECC, mes tij dhe vëllait Isa Aliu, përmenden shuma të mëdha parash, përfshirë 6 milionë euro cash dhe më pas rreth 20 milionë euro të tjera që pritej të siguroheshin për investim.
Bazuar njoftimit të SPAK, Isa Aliu, ka oreientuar që paratë e përfituara nga trafiku i drogës të kalonin në llogaritë e kompanisë “A.. R.. H…” sh.p.k, me qëllim “justifikimin” e investimeve të ardhshme, në muajt Maj 2021 – Qershor 2021. Aliu vendosi që kompania e tij “A.. R.. H…” sh.p.k' me seli në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash, për të justifikuar flukset e ardhshme të parave cash dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit.
Dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.
Hetimet e SPAK tregojnë se grupi kriminal ka operuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës gjatë viteve 2019–2021, me rrugë kryesore nga Amerika e Jugut drejt Europës, dhe dyshohet se ka arritur të fusë rreth 50 tonë kokainë./ZËRI