TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të mbledhë të mërkurën në orën 08:30, në selinë e Partisë Socialiste, drejtuesit politikë në qarqe.
Mbledhja vjen vetëm pak ditë pas takimit të zgjeruar me grupin parlamentar dhe qeverinë, të mbajtur të shtunën, më 20 qershor. Takimi do të zhvillohet në një moment kur në Tiranë vijojnë prej më shumë se tre javësh protestat, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama.
Mbledhja e zgjeruar e së shtunës u fokusua në diskutime për integrimin dhe çështje të lidhura me protestat për Zvërnecin. Vetë kryeministri Edi Rama foli pas nisjes së mbledhjes, duke komentuar sërish protestat dhe investimet. Sipas tij, “bota nuk u zgjua nga Narta, por nga emri i Kushner dhe hija e vjehrrit të tij, Donald Trump”. Më tej, ai i lidhi protestat me hapësirën digjitale, e cila sipas tij ka krijuar një “shesh” të ri përmes algoritmeve, ku disa akuza apo etiketime mund të perceptohen si “të vërteta të qëndrueshme”. Në përfundim, ndaj thirrjeve të protestuesve, Rama u përgjigj shkurt duke thënë se nuk do të japë dorëheqjen./ZËRI
