Aktualitet

Protesta në ditën e 24-të! Qytetarët para Kryeministrisë, japin lajmin: Më 4 korrik diaspora 'zbarkon' në Tiranë!(VIDEO)

Ndërkohë, kujtojmë se në ditën e 23-të të saj, grupi organizator publikoi pesë kërkesa, që përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese përmes referendumit, si dhe anulimin e disa ligjeve dhe paketave të konsideruara problematike nga organizatorët.

zh.ll
Protesta në ditën e 24-të! Qytetarët para
protestuesit para kryeministrise

TIRANË- Qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit janë mbledhur edhe këtë të marte në protestën e 24-t radhazi.

Tubimi ka nisur në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisje.

“Rama jepe dorëheqjen”, vijon të jetë thirrja kryesore e çdo proteste. 

Ndërkohë, siç tashmë e kanë bërë traditë, teksa pozicionohen përpara godinës së Kryeministrisë, qytetarët kënduan himnin e flamurit.

Përgjatë 24 ditëve, protestuesit kanë ngritur shqetësime që lidhen me korrupsionin, keqqeverisjen, mungesën e transparencës dhe fenomenin e emigrimit të të rinjve.

Sot, mes fjalimeve dhe thirrjeve, qytetarwt kanë njoftuar se në 4 Korrik, diaspora do të rikthehet në Tiranë për t’iu bashkuar protestës.

“Kam një njoftim. Qëndrestarët dolën me disa pika. Kemi marrë shumë mesazhe nga diaspora dhe më datë 4 korrik e gjithë diaspora do të jetë këtu”, tha një nga folësit gjatë protestës.

Ndërkohë, kujtojmë se në ditën e 23-të të saj, grupi organizator publikoi pesë kërkesa, që përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese përmes referendumit, si dhe anulimin e disa ligjeve dhe paketave të konsideruara problematike nga organizatorët.

Konkretisht kërkesat:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

Në tubimet e fundit është vënë re edhe pjesëmarrja e shqiptarëve të ardhur nga diaspora, të cilët i janë bashkuar thirrjeve të protestuesve në mbështetje të kauzës së tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB