TIRANË-Janë publikuar pamjet e momentit kur çifti Gazment dhe Laureta Buçpapaj largohen pas vrasjes me thikë të Egli Pashollarit te Ish-Parku, Tiranë. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-Parkut në Tiranë, pasditen e 20 shkurtit. Të dy, burrë e grua, braktisën makinën e tyre jo shumë larg vendit të ngjarjes ku pas një sherri mbeti i vrarë me thikë Egli Pashollari, dhe u larguan me shpejtësi. Brenda makinës la edhe thikën, e cila më vonë u gjet si provë e rëndësishme materiale nga policia, për dokumentimin e ngjarjes së rëndë.
Bashkëshortja e autorit, në dëshminë e saj, deklaron se konflikti nisi prej bllokimit të rrugës me makinë, dhe i shoqi i ra borisë. Kaq mjaftoi që sipas saj, viktima t’i shante nga familja, dhe të niste sherri që përfundoi me vrasje.
I riu Egli Pashollari, një nga njerëzit e afërt të Emiljano Shullazit, u qëllua me thikë pas shpine dhe fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës për në spital. Pashollari u sulmua nga tre persona, dy djem dhe një vajzë me origjinë nga Tropoja, menjëherë pasi kishte dalë nga automjeti i tij. Personi që dyshohet se e goditi me thikë në kurriz është Gazment Buçpapaj, i cili është shpallur në kërkim. Ai ishte prezent bashkë me gruan dhe një person tjetër, kur ndodhi ngjarja. Pasi qëlluan të riun, Buçpapaj dhe 2 personat e tjerë u larguan me makinë nga vendngjarja. Më pas për të mos rënë në prangat e policisë Buçpapaj ndërroi makinën dhe hipi në një taksi, duke u arratisur. Ai aktalisht është shpallur në kërkim./ZËRI