TIRANË- Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy, është thirrur nga Gjykata e Posaçme për t’u bërë pjesë e procesit ndaj Laert Haxhiut, si viktimë e veprës penale. Ai është thirrur për të qenë i pranishëm në seancën që do të mbahet këtë të mërkurë për procesin ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë veprash kriminale.
Sipas procedurës, në kushtet kur dosja ndaj Laert Haxhiut ka kaluar për gjykim, pjesë e këtij procesi mund të bëhen edhe viktimat e veprës penale, të cilët mund të përfaqësohen me avokat ose zgjedhin të mos marrin pjesë asnjëherë. Noizy është thirrur si viktimë e veprës penale, pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e lokalit dhe dyqanit të tij në Durrës. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2022, ku biznesit të reperit iu vendos lëndë plasëse.
Nga hetimet rezultoi se tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut, pas sherrit që Noizy kishte pasur me reperin tjetër, Kleviol Ahmeti, të njohur me pseudonimin "Cllevio".
"Në datë 08.06.2022, në dyqanin e shtetasit Bashkim Rajku, në qytetin e Durrësit, me autorë të dyshuar: - Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë; - Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë; - Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë; - Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë.", njoftonte policisë asokohe pas ngjarjes.
SHERRI NISI NË TIK TOK, DEGRADOI NË JETËN REALE
Konflikti mes reperit Noizy dhe Kleviol Ahmetaj, i njohur si Cllevio Serbiano nisi në rrjetet sociale për t'u "zhvendosur" më pas edhe në jetën reale. Fillimisht ishte reperi nga Lushnja që ofendonte Noizy-n në rrjetet sociale. Por situata degradoi kur Ahmeti, edhe pse në masën e sigurisë "arrest shtëpie", shkoi tek lokali i Noizy-t në Durrës, ku edhe u qëllua me grusht nga reperi. Sërish i riu nga Lushnja përfundoi në burg për shkelje të masës së sigurisë. Me daljen nga burgu, nisi sërish kërcënimet dhe ofendimet në rrjetin social "TikTok", e përgjatë një viti, bizneset e reperit Noizy (makina Ferrari, lokali dhe dyqani i rrobave) janë shkrumbuar disa herë. Për djegien e Ferrarit me vlerë 300 mijë euro, autori i ngjarjes, Siar Konti nga Vlora, është arrestuar dhe gjatë deklaratës së tij, ai ka zbuluar se pas ngjarjes fshihet reperi, Cllevio Serbiano. Nga ana tjetër, Kleviol Ahmetaj, ka deklaruar për policinë se nuk ka asnjë lidhje. Por mesa duket, Konti nuk ka qenë i vetmi person që ka porositur për të dëmtuar edhe kundërshtarin e tij, pasi mesa duket për ndihmë është drejtuar edhe tek shoku i ngushtë i fëmijërisë.
Në gjyq, Noizy do të përballet me Laert Haxhiun, i dënuar me burgim të përjetshëm për Masakrën e Lushnjës të vitit 2017. Më 4 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme çoi në gjyq Haxhiun dhe dy të tjerë, të akuzuar për vrasje dhe ngjarje të tjera kriminale./ZËRI
