SARANDË-ZËRI ka siguruar momentin e vrasjes së Artan Myrtaj mëngjesin e 20 shtatorit në Sarandë. Në imazhet e siguruar nga ZËRI, autori shihet i veshur me një xhup në ngjyrë jeshile, pantallona të zeza dhe me skafandër në kokë, ndërsa në motor ndodhet bashkëpunëtori, i cili ka ndihmuar autorin për t’u larguar.
Ekzekutori në momentin e atentatit ka patur në duar dy armë zjarri. Siç shihet edhe në imazhin e publikuar nga ZËRI, në dorën e majtë mban një pistoletë me silenciator, ndërsa tjetrën në dorën e djathtë.
Ndryshe nga ekzekutori bashkëpunëtori i tij ka qenë i gjithi i veshur me rroba të zeza dhe pa lëvizur asnjë moment nga motori, në gatishmëri të autorit të vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj.
Pesë ditë nga ngjarja ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët, ndërsa lidhur me atentatin janë marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e ngjarjes, por asnjë detaj për identifikimin e tyre.
Atentati ndodhi mëngjesin e 20 shtatorit, ku 44-vjeçari i njohur si “Tani Ruzhdiut”, sapo ishte ulur për kafe në një lokal pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, kur dy autorët, që kishin ardhur nga rruga “Lefter Talo”, iu afruan me motor dhe qëlluan të paktën dy herë duke e lënë të pajetë në mes të rrugës. Si pasojë e të shtënave i plagosur mbeti edhe kalimtari Xhevdet Skëndaj.
Hetimet u shtrinë edhe në Kamë, ku u zhvilluan kontrolle në banesën e Ervis Lamit, nipit të tij dhe një personi të afërm të tyre. Kontrollet erdhën në kuadër të hetimeve, pas një konflikti të mëparshëm prone në Sarndë ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj, të dy banues në Kamëz. Viktima rezulton i arrestuar nga Policia e Sarandës në vitin 2025, për përkrahje të autorit të plagosjes së dy të rinjve. Një pistë tjetër hetimi është ajo e një atentati të porositur, të kryer nga vrasës me pagesë. Lidhur me ngjarjen Policia e Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm dhe ka nisur gjithashtu rivlerësimin e performancës së gjithë zinxhirit drejtues të komisariatit./ZËRI



