Ekzekutimi i Artan Myrtaj, policia: Do ngrihet grup i posaçëm për situatën kriminale në Sarandë
SARANDË-Pas atentatit të ndodhur më 20 shtator në Sarandë, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj dhe u plagos kalimatri Xhevdet Skëndaj, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash, duke ngritur një grup të posaçëm me ekspertë të strukturave qendrore për rivlerësimin e situatës kriminale në qytet.
Policia njofton se masat janë ndërmarrë pas takimit të zhvilluar një ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë.
Grupi i posaçëm përbëhet nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike, të cilët do të kryejnë një analizë të thelluar të situatës kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe strukturat hetimore të Komisariatit të Sarandës. Policia ka nisur gjithashtu rivlerësimin e performancës së gjithë zinxhirit drejtues të komisariatit, si dhe të efektivëve të rolit bazë dhe atyre me funksione drejtuese.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të masave të marra për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur paraditen e datës 20.09.2026, në qytetin e Sarandës, dhe pas analizës së bërë pasditen e djeshme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, ju informojmë se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Sigurisë Publike, me qëllim kryerjen e një rivlerësimi të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, në bashkëpunim me DVP Vlorë, stafin drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat e tij hetimore.
Gjithashtu, po kryhet një rivlerësim i performancës së të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe i efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Në bazë të performancës së tyre, do të ndërmerren veprimet e duhura.
Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për garantimin e mbështetjes së tyre me bazën e nevojshme logjistike.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive hetimore, të koordinuara ngushtësisht me veprimet operacionale të shërbimeve të Policisë në terren.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve, si dhe për forcimin e mëtejshëm të sigurisë në territorin e Sarandës dhe në të gjithë vendin.
Vrasja e Artan Myrtajt/ RENEA kontrolle në banesën e Ervis Lamit në Kamëz
TIRANË- Forcat Speciale RENEA kanë ushtruar kontrolle në disa banesa pas vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj në Sarandë, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas burimeve, kontrollet janë kryer në periferi të Kamzës, në banesën e Ervis Lamit, i cili dyshohet se ka lidhje me një grup kriminal që vepron në Sarandë dhe Tiranë. Kontrolle janë ushtruar gjithashtu në banesën e nipit të tij, si edhe në banesën e një personi me të cilin Lami ka lidhje shoqërore.
Megjithatë, mësohet se gjatë kontrolleve nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm apo provë që mund të ndihmojë në hetimin e vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj.
Si ndodhi ngjarja?
Mësohet se 44-vjeçari i njohur si “Tani Ruzhdiut”, sapo ishte ulur për kafe në një lokal pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, kur dy autorët, që kishin ardhur nga rruga “Lefter Talo”, iu afruan me motor dhe qëlluan të paktën dy herë. Myrtaj rezulton i arrestuar nga Policia e Sarandës në vitin 2025, për përkrahje të autorit, pas plagosjes së Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt, 32 dhe 24 vjeç. Plagosja e dyfishtë ndodhi më 17 korrik të 2025, për një pronë në vijën bregdetare të Sarandës. Myrtaj u arrestua për veprën penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”./ZËRI
Ekzekutimi mes rrugës i Artan Myrtaj, Ministri Demo urdhëron shkrirjen e zinxhirit drejtues të Policisë Sarandë
TIRANË-Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo ka zhvilluar një takim me drejtuesit e policisë në qarqe. Në fokus të takimit raportohet se ka qenë ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e 20 shtatorit në Sarandë, ku u vra në mes të rrugës Artan Myrtaj dhe u plagos edhe një kalimtar, Xhevdet Skëndaj.
Lëvizja e parë e ministrit Demo ka qenë e ashpër, ku mësohet se ka urdhëruar shkrirjen e të gjithë zinxhirit drejtues të Sarandës. Po ashtu Ministri i Brendshëm ka kërkuar që të krijohet një Task Forcë në këtë qytet.
44-vjeçari Artan Myrtaj u vra në një atentat me armë zjarri një ditë më parë pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, kur dy autorët, që kishin ardhur nga rruga “Lefter Talo”, iu afruan me motor dhe qëlluan të paktën dy herë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i plagosur edhe një kalimtar, 73 vjeç. Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, ndërsa policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e atentatit.
Gjithashtu, hetuesit kanë nisur këqyrjen e pamjeve të disa kamerave të sigurisë në qytet, ndërsa për të tjera ende nuk është bërë i mundur aksesimi. Në të njëjtën kohë, vijojnë kontrollet në akset dalëse të Sarandë, ku janë ngritur postoblloqe për kapjen e autorëve./ZËRI
Vrasja e “Tanit të Ruzhdiut”, atentat i porositur? Sekuestrohen 13 gëzhoja në vendngjarje, merren në pyetje 20 persona
SARANDË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati me armë zjarri në Sarandë, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj. Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, ndërsa policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e atentatit.
Gjithashtu, hetuesit kanë nisur këqyrjen e pamjeve të disa kamerave të sigurisë në qytet, ndërsa për të tjera ende nuk është bërë i mundur aksesimi. Në të njëjtën kohë, vijojnë kontrollet në akset dalëse të Sarandë, ku janë ngritur postoblloqe për kapjen e autorëve.
Sa i përket motivit të ngjarjes, hetuesit po verifikojnë disa pista. Njëra prej tyre është mundësia e një atentati të porositur, të kryer nga vrasës me pagesë. Ndërsa pista tjetër është ajo e një konflikti të mëparshëm, pas ngjarjes së korrikut të kaluar. Megjithatë, deri tani nuk ka ende një motiv të konfirmuar për vrasjen.
Si ndodhi ngjarja?
Mësohet se 44-vjeçari i njohur si “Tani Ruzhdiut”, sapo ishte ulur për kafe në një lokal pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, kur dy autorët, që kishin ardhur nga rruga “Lefter Talo”, iu afruan me motor dhe qëlluan të paktën dy herë. Myrtaj rezulton i arrestuar nga Policia e Sarandës në vitin 2025, për përkrahje të autorit, pas plagosjes së Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt, 32 dhe 24 vjeç. Plagosja e dyfishtë ndodhi më 17 korrik të 2025, për një pronë në vijën bregdetare të Sarandës. Myrtaj u arrestua për veprën penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”./ZËRI
Vrasja e Artan Myrtaj/ Hita mbledhje urgjente në Sarandë: Hetim i shpejtë, të dokumentohen edhe ngjarjet e vitit 2025
SARANDË-Pas vrasjes së Artan Myrtaj dhe plagosjes së kalimtarit Xhevdet Skëndaj mëngjesin e sotëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, ka shkuar në Sarandë, ku zhvilloi një mbledhje urgjente me drejtuesit vendorë të Policisë. Hita kërkoi nga strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë hetime të shpejta dhe të thelluara. Ai kërkoi rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur sot, por edhe për ngjarje të kaluara.
Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi hetime të shpejta dhe të thelluara, si dhe një skanim tërësor të situatës operative, nga evidentimi i konflikteve më të mprehta deri te konfliktet më të vogla, identifikimin e personave me precedent, si dhe të kontingjentit kriminal që është në zonë, por edhe atij shëtitës.
Hita: Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale.
Në lidhje me ngjarjen, po ushtrohen kontrolle edhe nëpërmjet dronëve në territore të ndryshme në zonën e Sarandës dhe Delvinës, ndërkohë që grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit.
Artan Myrtaj u ekzekutua në lagjen ish-agjencia e vjetër e qytetit të Sarandës. 44-vjeçari rezultonte i përfshirë në një ngjarje të ndodhur më 17 korrik të vitit të kaluar, kur në lagjen nr. 4 të Sarandës mbetën të plagosur Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj. Myrtaj ishte akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit” dhe ishte liruar nga burgu pak kohë më parë.