
TIRANË- Pas rritjes se çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës që janë edhe pasticeri apo bar-kafe, Autoriteti i Konkurrences ka nisur monitorim të tregut. Kontrollet po kryen në mënyrë që të mos rritet çmimi i produkteve. Sipas njoftimit të bërë nga "AK" të gjithë shkelësit do të sanksionohen me gjobë, e cila do të llogaritet deri në 10% të xhiros së fitimit të vitit paraardhës.
"Autoritetit i Konkurrencës vendos menjëherë nën monitorim çmimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës pas hyrjes në fuqi të vendimit nr. 72 datë 15.04.2024 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Sot në datë 01.11.2024 Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga informacione mediatike në lidhje me njoftimin e furrave të bukës për rritjen e çmimit të bukës, filloi monitorimin e menjëhershëm në terren për evidentimin e çdo sjelljeje abuzuese në shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të prodhimit dhe tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme,"- thuhet në njoftim.
Aktualisht vetëm furrat e bukës dhe prodhimit të miellit për tension 0.4 kv duhet të paguajnë një tarifë të subvencionuar prej 7.6 lekë/kWh të vendosur nga ERE që në vitin 2018. Ndërsa për bizneset të lidhura në tension 0.4 kv tarifa e energjisë është 14 lekë për kWh. Por pavarësisht vendimit të mëparshëm aktualisht të gjitha furrat në vend pavarësisht shërbimeve që ofronin si pastiçeri apo bar-kafe, energjinë e blinin me 7.6 lekë./ZËRI