DHËRMI-Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka pezulluar dhe gjobitur pesë kompani për ndotjen mjedisore të shkaktuar prej tyre në zonën e Dhërmiut. Mes listës së subjekteve është sërish kompanina “Gjikuria.” Kjo është gjoba e tretë brenda pak muajsh.
Më 1 korrik u evidentua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura të kopmanisë 'Gjikuria' operonte pa Leje Mjedisore të Tipit Bpasi. Po ashtu edhe më 29 maj 'Gjikuria' u ndëshkua me 1 milionë lekë gjobë për hedhjen e dhera dhe inerte në fshatin Dhërmi.
Listës së kompanive të ndëshkuara u shtohet edhe Gjoka Konstruksion, Anchor Beton, Eral Construction Company dhe Beton Express 2018. IKMT bën me dije se aktiviteti i kompanive është pezulluar për shkak të mos respektimit të kushteve të përcaktuara në lejen e lëshuar nga autoritetet mjedisore



Njoftimi i IKMT:
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ndëshkoi me pezullim dhe gjobë pesë subjekte biznesi për ndotjen mjedisore të shkaktuar prej tyre në zonën e Dhërmiut, pjesë e Bashkisë Himarë.
Marrë shkas dhe nga denoncimet e qytetarëve, Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave pranë IKMT inspektoi zonat ku ushtrohet aktiviteti i fraksionimit/ndarjes së inerteve të gurit.
Për shkak të mos respektimit të kushteve të përcaktuara në lejen e lëshuar nga autoritetet mjedisore, kompanitë Gjoka Konstruksion, Gjikuria, Anchor Beton, Eral Construction Company dhe Beton Express 2018 u ndëshkuan me gjobë dhe pezullim.
Marrë në konsideratë mbarëvajtjen e sezonit turistik, IKMT gjen rastin tu bëjë thirrje veçanërisht të gjitha subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në vijën bregdetare të tregojnë vëmendje të shtuar në respektimin e detyrimeve ligjore për mjedisin.
IKMT mbetet e vendosur të mos tolerojë dhe do të ndëshkojë çdo rast të shkeljeve ligjore në fushën e ndërtimit, mjedisit dhe pyjeve.
