SARANDË- Një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje në Sarandë është vetëdorëzuar në Komisariat.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për 56-vjeçarin Mirdar Koshi, i cili kërkohej prej datës 25 maj. Ai dyshohet se ka kryer ndërtime pa leje në një objekt në pronësi të tij, ku janë shtuar dy kate pa autorizimin përkatës.
Vetëdorëzimi i 56-vjeçarit vjen pas aksioneve të zhvilluara nga Prokuroria e Sarandës në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) për goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme.
Nga dy operacionet e zhvilluara më 15 dhe 25 maj, numri i personave të arrestuar ka shkuar në 14, ndërsa dy persona vijojnë të jenë në kërkim. Në mesin e të hetuarve janë edhe 8 efektivë policie, përfshirë ish-Shefin e Komisariatit dhe atë të krimeve, 4 ish-punonjës të Bashkisë dhe 4 pronarë objektesh.
Ndaj ish-shefit të Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, dhe specialistit të zonës, Robert Çulli, është vendosur masa e sigurisë "arrest me burg". Ndërkohë, të ndaluarit e tjerë, përfshirë disa që janë vetëdorëzuar, janë lënë të lirë me vendime të Gjykatës së Sarandës ose Gjykatës së Apelit./ZËRI