Aktualitet

"Zhdukën" 69 milionë lekë të pensionistëve, Policia: Arrestohen drejtoresha, shefja e financës dhe arkëtarja e Postës në Durrës (EMRAT)

Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe është kallëzuar në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të disa parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm.

zh.ll
"Zhdukën" 69 milionë lekë të pensionistëve,
Elisabeta Mataj

DURRËS- Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtarja Paola Dana janë ndaluar nga Policia, pas dyshimeve për shkelje detyre dhe abuzim me fondet e institucionit.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, nga hetimet paraprake dyshohet se tre punonjëset nuk kanë arkëtuar në degët e Postës në Shijak dhe Krujë shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila ishte destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj 2026, ndërsa shumat dyshohet se janë përvetësuar në bashkëpunim nga të ndaluarat.

Ato po hetohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar "Filiali", i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Nuk arkëtuan në arkën e degëve Shijak dhe Krujë, shumën 69 milionë lekë të rinj, të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, vihen në pranga drejtoresha, shefja e financës dhe arkëtarja e filialit të Postës Shqiptare, Durrës.

Në vijim të operacioneve për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacionin policor të koduar "Filiali".

Në kuadër të operacionit u ndaluan shtetaset:

-E. M., 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës;

-V. D., 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës;

-P. D., 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare në filialin e Postës Shqiptare Durrës.

Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe është kallëzuar në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të disa parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm./ZËRI

Poll

MOS HUMB