Aktualitet

"Metamorfoza"/ GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe me 5 vite ish-shefin e Policisë Ardit Hasanbegaj

Gjoka është shpallur fajtor për sigurim kushtesh për të kryer vrasje, ndërkohë që është shpallur i pafajshëm për akuzën e ‘armëmbajtjes pa leje’

zh.ll
"Metamorfoza"/ GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin
pellumb gjoka-Ardit Hasanbegaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka, në kuadër të dosjes së njohur si “Metamorfoza”. Fillimisht, Gjoka u dënua me 9 vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e 1/3 së dënimit, duke e çuar masën përfundimtare në 6 vite burg.

Gjoka është shpallur fajtor për sigurim kushtesh për të kryer vrasje, ndërkohë që është shpallur i pafajshëm për akuzën e ‘armëmbajtjes pa leje’. Gjithashtu, ai është shpallur fajtor për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për korrupsion aktiv të funksionarëve të sistemit të drejtësisë.

Çështja ndaj biznesmenit është shqyrtuar veçmas nga të pandehurit e tjerë të dosjes, ndërsa vendimi u shpall pas përfundimit të procesit gjyqësor në GJKKO.

Ndërkohë ish-shefi i Policisë, Ardit Hasanbegaj, është shpallur fajtor për sigurim kushtesh për vrasjen e Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Ai është dënuar me 7.6 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i ulet me 1/3 dhe do të duhet të vuajë 5 vite, në një burg të sigurisë së lartë. Po ashtu atij i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike.

Nga korriku i vitit 2023, Pëllumb Gjoka ndodhet në paraburgim, i akuzuar për disa vepra të rënda penale, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Gjoka u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin "Sky ECC", ndërsa bashkë me të në pranga përfnduan policë, prorkurorë dhe ish-prokurorë. Biznesmeni Pëllumb Gjoka, akuzohet për akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ të Gjin Ndoj (Boriçi), në 9 gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës.

SPAK e akuzon Gjokën edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin në formën e grupit të strukturuar kriminal. Gjoka akuzohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./ZËRI

Poll

MOS HUMB