Aktualitet

Parandalohet ngjarja kriminale! Me minë me telekomandë në makinë, arrestohet 38-vjeçari

Gjatë kontrollit iu gjet edhe një maskë dhe dy telefona celularë.

F.I
Parandalohet ngjarja kriminale! Me minë me telekomandë në
PAMJE NGA ARRESTIMI

VAU I DEJËS- Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në Vaun e Dejës, duke arrestuar një 38-vjeçar që transportonte një minë me telekomandë, ndërsa një bashkëpunëtor i dyshuar është shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit Euglen Burakut iu gjet edhe një maskë dhe dy telefona celularë. 

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Njoftimi i policisë:

Vau i Dejës / Policia parandalon një ngjarje të mundshme kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar "Remote". Vihet në pranga një 38-vjeçar, i cili u kap duke transportuar një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë.

Shpallet në kërkim një 34-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i 38-vjeçarit. Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, një minë me telekomandë, një automjet, një maskë dhe dy telefona celularë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte një minë me telekomandë, kanë organizuar menjëherë ndërhyrjen, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Rreth orëve të para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, u ndalua për kontroll automjeti me të cilin lëvizte i dyshuari. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Gjithashtu, u sekuestruan automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u vu në pranga shtetasi E. B., 38 vjeç, banues në Spitallë, Durrës.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë rast.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e destinacionit dhe qëllimit të transportimit të minës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Poll

MOS HUMB