DURRËS-Një incident është raportuar në Durrës, ku drejtori i spitalit të qytetit bregdetar, Renis Mullaj është kërcënuar. Konkretisht Mullaj është kërcënuar nga Vullnet Muça, vëllai i ‘Rrumit’, i cili njihet si i forti i Shijakut.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur një ditë më parë teksa Vullnet Muça, ka shkuar në zyrën e drejtorit të spitalit rajonal, Renis Mullaj, dhe i ka kërkuar që t'i punësonte mbesën. Drejtori ka refuzuar dhe ka telefonuar policinë. Pas telefonatës Policia ka shoqëruar Muçën dhe e ka akuzuar për kanosje për shkak të detyrës.
"V. M., 41 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, pasi ka kanosur për shkak të detyrës shtetasin R. M., me detyrë Drejtor i Spitalit Rajonal Durrës, për t’i futur mbesën në punë”, njoftoi policia.
Emri i Vullnet Muçës (Muharremi) është përmendur vetëm në 2016, kur bashkë me të vëllanë ka përplasur makinën e biznesmenit Fuad Mitri. Ndërsa Aleksandër Laho, është ende në kërkim dhe ndaj tij ka dy urdhër-arreste, një nga Prokuroria e Durrësit dhe një nga SPAK. I njohur edhe me nofkën "Rrumi i Shijakut", Aleksandër Laho është një personazh shumë i përfolur për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërkohë që emri i tij u përmend edhe gjatë atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji./ZËRI