
ROMË- SHËNGJIN- Nga e hëna anija ‘Libra’, e Marinës italiane, do të vendoset 20 milje larg portit të Lampedusa për të ruajtur ujërat dhe për të mirëpritur refugjatët e shpëtuar në ujrat e Mesdheut. Më pas, autoritetet do të bëjnë skanimin e parë në bord dhe do të transportojnë drejt Shqipërisë ata që janë “të përshtatshëm”, si refugjatët që vijnë nga vendet që konsiderohen të sigurt sipas legjislacionit italian. Mësohet se anija "Libra" do të sjellë të hënën 70 emigrantë të einj, sipas ligjit të ri.
Në thelb, vendimi i gjykatës së Romës përcakton se “procedurat e kufirit të përshpejtuar” nuk mund të zbatohet për migrantët që vijnë nga vende të tjera, që konsiderohen të sigurta vetëm nga Italia dhe jo nga legjislacioni evropian. Sipas Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, një vend nuk mund të përcaktohet i sigurt, nëse edhe një pakicë e vogël qytetarësh janë në rrezik dhe i takon gjyqtarit përgjegjës që të dallojë rast pas rasti nëse riatdhesimi do të rrezikonte jetën e personit.
Pra, Roma, nëse do të ndiqte kriteret e Gjykatës së BE-së, do të duhej të rishikonte listën e saj të vendeve të sigurta, duke përjashtuar, për shembull, Tunizinë, Egjiptin ose Bangladeshin, nga të cilat vijnë shumica e kërkuesve të azilit. Kjo do të shënonte fundin e “projektit Shqipëri”.
Pas një fillimi të pasuksesshëm në tetor, me një përplasje të drejtpërdrejtë me sistemin gjyqësor, një polemikë politike të ashpër dhe debate mbi kostot e operacionit, qeveria italiane po e provon sërish, kësaj radhe duke marrë masat e duhura.
Më 21 tetor, Qeveria Meloni miratoi një dekret ligji që shënon përmirësimin e listës së saj të “vendeve të sigurta”, e cila kaloi nga normë dytësore në primare, me qëllim që ta forcojë dhe ta imponojë si prioritare, në hierarkinë juridike, në raport me udhëzimet e Gjykatës Evropiane.
A do të ketë një sukses të dytë?
Në të vërtetë, ligji mund të mos mjaftojë për të proceduar pa pengesa dhe konteste të tjera. Disa ditë më parë, u depozitua akti i parë formal që vë në dyshim legjitimitetin e këtij vendimi: Gjykata e Bolonjës, duke shqyrtuar një ankesë të një burri 30-vjeçar nga Bangladeshi të cilit iu refuzua azili, i kërkoi Gjykatës së Drejtësisë të BE-së të vendosë nëse ai dekret duhet të mos zbatohet, duke qenë se kriteret e përdorura nga qeveria për të përcaktuar një vend si “të sigurt” janë në kundërshtim me të drejtën evropiane. Kjo për të parandaluar rrezikun e një shqyrtimi të përafërt dhe standardizuar që mund të çojë në një rritje të përgjithshme të deportimeve në shkelje të parimit të mos-refuzimit, parim ky thelbësor i të drejtës ndërkombëtare.
Ndërkohë kampet emigrantëve në Shëngjin dhe tre objektet e akomodimit në Gjadër, ai për azilkërkuesit, ai për emigrantët që do të riatdhesohen, prej dy javësh kanë mbetur pa “mysafirë” por të populluar nga thuajse 300 punëtorë: përkthyes, pastrues, personel mjekësor dhe infermierët, oficerët e policisë, policia financiare dhe karabinierët. /ZËRI