DRENOVË- Një telefon celular është gjetur në burgun e Drenovës, që dyshohet se është përdorur nga Laert Haxhiu, i dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale. Telefoni që është kapur i përkiste një të dënuari për lëndë narkotike, por dyshohet se përdorej nga Haxhiu. Dyshimet lindën pasi telefoni është kapur në sektorin ku vuan dënimin Haxhiu, por më shumë pritet të kuptohet nga hetimet që SHKB dhe Prokuroria e Korçës po kryejnë.
Një rast i ngjashëm u zbulua dhe në muajin Korrik të këtij viti, ku Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ndërhyu duke shkarkuar drejtuesin e IEVP-së Fatjon Fasho, si dhe shefin e sektorit Sokol Kacoli.
Laert Haxhiu është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjes. “Masakra e Lushnjes” ka ndodhur në shtator të vitit 2017. Shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Dosja u zbërthye pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Marjus Tafani. Laert Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe më pas, pas një procesi të gjatë gjyqësor në vendin fqinjë u ekstradua në Shqipëri. /ZËRI
