
KORÇË- Anëtarët e bandës së Lushnjes janë ndarë nga njëri-tjetri. Anterio Kaloshi, Orgest Bilbili dhe Laert Haxhiu janë ndarë në sektorë të ndryshëm në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Që prej ditës që iu gjet telefoni celular, më 29 qershor, Laert Haxhiu është vendosur në izolim. Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani t'i propozojë komisionit të posaçëm të burgut të Drenovës izolimin në regjimin “41 biss” për të tre anëtarët e bandës.
Paralelisht, prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për ish-drejtorin e Burgut, Fatjon Fasho dhe ish-shefin të policisë së Burgut, Sokol Kaçoli, të cilët janë kallëzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Kjo për shkak se kishin lënë të gjithë bandën të akomoduar në një sektor dhe me dhoma ngjitur nga njëra-tjetra.
Detajet u zbuluan pas sekuestrimit tw telefonit tw Haxhiut nga skuadra "Operacionale". Pas sekuestrimit tw telefonit, SPAK po kryen hetime duke kqyrur jo vetëm aparatin, por edhe duke bashkëvepruar me autoritete të tjera, pasi ka dyshime që bisedat e të fortit të Lushnjës janë sinjalizuar nga përgjimet që po mbahen për një çështje tjetër nën zhvillim e sipër.
Gjatë kontrollit në dhomat e tyre, "Operacionalia" gjeti 4 iPhonë dhe Samsung, por edhe kufje. Pra edhe pse në qeli, të paktën anëtarët e bandës së Lushnjes duket se kanë pasur akses për të kontaktuar me këdo që kishin dëshirë, pa u shqetësuar nga askush. Dy anëtarët kryesorë të grupit të Laert Haxhit, po ashtu të dënuar me burgim të përjetshëm si Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili janë vendosur në sektorin “A” të burgut të Drenovës, me dhoma ngjitur me njëri-tjetrin. Pranë tyre janë vendosur Xhensi Lipo, i dënuar me 19 vite burg për akuzën e vrasjes së Erjon Ibit dhe Vladimir Kurti, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Agim Bucit.
Laert Haxhia u ekstradua nga Greqia pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë, Artan (Marjus) Tafani, i cili zbardhi të paktën 17 krime, mes tyre vrasje, tentative për vrasje, vendosje tritoli dhe trafik të lëndëve narkotike./ZËRI