
TIRANË- Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismailaj është marrë në pyetje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me hakerimin e institucionit. Sipas "Top Channel", Agim Ismailaj është një nga personat, të cilit i janë dërguar materialet që Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj kanë mundur që të marrin nga emailet e prokurorëve të SPAK. Materialet e hakeruara i ishin dërguar në aplikacionin "WhatsApp", ndaj edhe ish-drejtori është marrë në pyetje në cilësinë e personit në dijeni të ngjarjes.
SPAK ka gjithashtu një listë emrash të personave që kanë marrë informacionet. Sipas të njëjtit burim pretendohet se të njëjtat informacione i janë dërguar edhe 2 ish-funksionarëve të lartë nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre; ndërsa "dosja" i është dërguar edhe Klodjan Allajbeut nën procedim për evazion fiskal.
Si Gjoni, edhe Rrokaj, akuzohen për nxjerrje të sekretit hetimor. Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë çuar në redaksitë e mediave, të dhëna dhe informacione për dosjet që janë ende nën hetim nga SPAK. Hetimi vazhdon dhe pas arrestimit të dy zyrtarëve pritet një operacion që mund të përfshijë edhe emra të tjerë.
Sipas SPAK, Gjoni dhe Rrokaj kanë tentuar që të hakerojnë edhe emailin e kreut të institucionit, Altin Dumanit, por nuk ia kanë dalë. Po ashtu, SPAK-u njoftoi se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar dhe dosjet hetimore nuk janë prekur. Por janë marrë disa informacione që më pas i janë shpërndarë palëve të treta. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuara thotë se ndërhyrja ka ndodhur më 12 mars. Përveç hetimit penal për Gjonin dhe Rrokajn, SPAK ka nisur një hetim të brendshëm administrativ për të verifikuar sigurinë e sistemit të IT-së të institucionit./ZËRI