
PEQIN- Banorët e fshatit Gryksh në bashkinë e Peqinit kanë protestuar sërish sot për ndërtimin e segmentit rrugor që lidh Rrogozhinën me Elbasanin. Në fjalën e tyre, banorët e zonës janë ankuar para mediave se autostrada e re u ka zaptuar tokat bujqësore. Sipas tyre, ndërtimi i rrugës po kryhet pa transparencë, ndërsa banorët deklarojnë se nuk u është vënë në dispozicion projekti i plotë i punimeve. Po ashtu, një tjetër shqetësim i ngritur është mungesa e një nënkalimi për lëvizjen e banorëve drejt rrugës kryesore, mungesë që i izolon nga zona.
Ndaj duke listuar problemet që kanë hasur me projektin e ri, banorët e zonës kërkojnë një zgjidhje për çështjet që kanë parashtruar.
Deklarata e banorëve të zonës:
"Ju bëj thirrje të gjithë banorëve të fshatit që ti bëjmë thirrje ministres Balluku se nëse nuk vjen këtu brenda 3 ditëve, ne do bojkotojmë votimet. Ose do ikim, do futemi në Ambasadë që të përsërisim korrikun e 1991 dhe kjo është protesta e dytë dhe asgjë konkrete nuk ka. Të vijë të na japë projektin e të na thonë se është kjo, nuk duam ne fjalë në ajër. Ne jemi të izoluar, dhe kjo është protesta e dytë që bëjmë pasi kjo rrugë do na bllokojë gjithë fshatin. Qeveria ka 12 vite që nuk i ka hedhur asnjë gurë as plis fshatit dhe kjo lëvizje ishte nga ana e tyre për të treguar se ja ne po e bëjmë këtë gjë të vogël, kur këtu nuk ka zero transparencë. Edhe rruga që ne shkelim tani ka zero transparencë, këta vijnë e i hedhin hi syve popullit".
Në përfundim të protestës, banorët paralajmëruan se nëse nuk merren masa për zgjidhjen e problemeve që ata kanë listuar, atëherë më 11 maj, në fshatin e tyre nuk do të zhvillohet procesi i votimeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit./ZËRI