Aktualitet

Klientëve iu zhdukën para nga llogaritë, inspektorët e Bankës së Shqipërisë zbarkojnë te Raiffeisen

Dyshimet e para janë për ndërhyrje, e cila ka ardhur për shkak të gabimit njerëzor, ndërkohë që nuk është përcaktuar ende nëse ndërhyrja ka qenë nga jashtë apo e brendshme.

F.I
Klientëve iu zhdukën para nga llogaritë, inspektorët e
foto ilustruese

TIRANË-Pas skandalit me zhvatjen e parave nga llogaritë e klientëve, në bankën Raiffeisen, Banka e Shqipërisë ka zbarkuar për kontroll. Inspektorët e BSH janë aktualisht prezentë në Raiffeisen duke investiguar me detaje, mbi atë që ka ndodhur.

Kontrolli vjen pasi më 4 tetor klinetë të Raiffeisen Bank në Tiranë, njoftuan se po përballen edhe me vjedhje të para nga llogaritë e tyre bankare. Në llogaritë e disa prej tyre u tërhoqën shuma të ndryshme parash pa kryer asnjë veprim apo blerje. Shumat e marra variojnë nga 500 deri në 1000 euro.

Dyshimet e para janë për ndërhyrje, e cila ka ardhur për shkak të gabimit njerëzor, ndërkohë që nuk është përcaktuar ende nëse ndërhyrja ka qenë nga jashtë apo e brendshme. Sipas burimeve, ajo që ka ndodhur ka qenë një anomali në hedhjen e batch-it ditor të së dielës. Ky është një proces automatik që ekzekutohet gjatë natës për të përpunuar dhe përditësuar të gjitha transaksionet e grumbulluara gjatë ditës.

Praktikisht incidenti ka prekur të gjitha transaksionet që qytetarët kanë bërë gjatë ditës së dielë, të cilat janë regjistruar nga dy herë në sistem. Kjo do të thotë se ata që kishin tërhequr, u merreshin paratë dy herë. Një burim i tha Kapitalit se bëhet fjalë për mbi 40 mijë transaksione të prekura.

“Raiffeisen bank" ka qenë në qendër të vëmendjes mes skandaleve e gjyqeve për abuzime me kreditë, hakerimeve dhe zhvatjeve ndaj llogarive bankare të klientëve apo duke rënë pre e vjedhjes nga punonjësit e vetë bankës./ZËRI

Poll

MOS HUMB