TIRANË-Rreth dy muaj pas vrasjes së Klaudio Prendit në rrugën "Xhanfize Keko" në Tiranë, policia ka shoqëruar të tjerë persona për t'i marrë në pyetje në lidhje me hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Burime bëjnë me dije se në mesin e tyre mund të jenë autorët dhe porositësit që kanë paguar për vrasjen e 27-vjeçarit Klaudio Prendi.
Shkaku i vrasjes mendohet të jetë një borxh prej 15 mijë eurosh, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera. Kjo pasi i riu sapo ishte kthyer në Shqipëri, madje sipas gazetares, Prendi ka qenë edhe në Dubai. Hetimet e vrasjes i ka marrë në dorë SPAK pasi dyshohet se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal.
I riu nga Puka, Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së 18 nëntorit, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t'u larguar nga vendi i ngjarjes e kanë ndjekur prej kohësh djalin e ish-gjyqtarit deri në momentin që ai ka dalë vetëm nga lokali. Sapo po hipte në mjetin e tij, ata kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital./ZËRI