
KORÇË-Pas ngjarjes tragjike ku një 14-vjeçar nga Pocesta e Maliqit humbi jetën nga arresti kardiak në QSUT, ka reaguar dhe spitali rajonal i Korçës, ku i mituri ishte ishte dërguar fillimisht për t'u trajtuar. Mjekët kanë dhënë një sqarim lidhur me trajtimin mjekësor që i është bërë të miturit. Spitali ka theksuar se, pas një stabilizimi të shëndetit më 31 dhjetor, dhe në përputhje me dëshirën e familjarëve, fëmija u largua nga spitali.
"Gjatë shtrimit ai është mjekuar me antibiotik, perfuzione dhe ilaçe për barkun. I gjithë mjekimi është bërë mbi rezultatet e analizave. Në datën 7 Janar, kur 14-vjeçari është paraqitur sërish në urgjencën spitalore të Korçës “është bërë stabilizimi i gjendjes shëndetësore edhe pse u paraqit në situate shumë të rënduar në spital”, njoftojnë bluzat e bardha.
Spitali rajonal i Korçës sqaron se i mituri u transportua në Tiranë për mjekim të specializuar dhe për ekzaminime të thelluara shëndetësore,për shkak të simptomave të cilat ishin të njëjta për disa diagnoza. Mjekët deklarojnë se rasti është trajtuar me përparësi nga personeli shëndetësor, megjithatë, në spitalin e Korçës nuk ka një mjek kardiopediatër, që mund të kishte ndihmuar më tej në këtë rast. Ndërkohë, Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë në lidhje me humbjen tragjike të jetës së fëmijës.
Në lidhje me ngjarjen Policia e Korçës ka njoftuar se nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën, për shkaqe natyrale (arrest kardiak).
"Më datë 08.01.2025, në QSUT, Tiranë, ka humbur jetën, një 14-vjeçar, banues në fshatin Pocestë, Maliq. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën, për shkaqe natyrale (arrest kardiak). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme,"-thuhet në njoftimin e policisë.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, familjarët e të miturit jashtë kamerave u shpresën se i mituri ishte i shëndetëshëm dhe kurrë më parë nuk kishte pasur probleme shëndetësore. Sipas tyre, mjekët kanë qenë neglizhentë pasi e kishin shtruart në pavionin e "COVID", kur duhet që të ndiqej në reaminacion. Pas pretendimeve të familjarëve, ka pasur edhe një reagim nga QSUT. Sipas tyre, djali ndërroi jetë në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pra, jo në pavionin ku pretendojnë familjarët. Ndërsa po sipas tyre, pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut./ZËRI