Aktualitet

E kallëzoi gjyqtarja Irena Gjoka, Argita Malltezi në SPAK: Duan të lajnë duart, kanë mbyllur procedimin

Malltezi tha se u thirr si person që mund të ketë dijeni, ndërsa shtoi se kjo është një tentativë e SPAK për të larë fytyrën e  gjyqtares Irena Gjoka.

F.I
E kallëzoi gjyqtarja Irena Gjoka, Argita Malltezi në SPAK: Duan
Argita Malltezi

TIRANË-Vajza e kreut të Partisë Demokratike, Argita Malltezi është paraqitur ditën e sitme në Prokurorinë e Posaçme. Ajo është paraqitur e vetme në ambjentet e SPAK, ndërsa ka deklaruar se është thirrur për të dëshmuar në lidhje me çështjen 193 të vitit 2024. Bëhet fjalë për çështjen që ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka i ka kërkuar SPAK më 19 Tetor 2024 që të hetojnë deklaratat e Argita Berishës e cila e akuzoi gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të Partisë Socialiste.

Pas daljes nga ambjentet e Prokurorisë së Posaçme, Malltezi tha se u thirr si person që mund të ketë dijeni, ndërsa shtoi se kjo është një tentativë e SPAK për të larë fytyrën e  gjyqtares Irena Gjoka.

"Ka iniciuar një procedim penal, ndërkohë që ne kemi bërë, unë, Jamarbër Malltezi, 3-4 kallëzime penale për çështje konkrete, ka falsifikuar Millonai, Kraja, Dumani, aktet zyrtare, ka falsifikuar Irena Maneku Gjoka aktet zyrtare, Olldashi aktet zyrtare. Të gjitha këto kanë qenë akte falsifikimi me pasoja shumë të rënda. Nuk kanë nisur procedimin, por kanë vendosur mbylljen e procedimit. Ky është standard i dyfishtë i një drejtësie të kapur politikisht, ndërkohë që pyetja ime në thelb kishte për standardin e një drejtësie të kapur nga grupet kriminale, që SPAK e ka për detyrë ta sqarojë. Çfarë bëra unë? Unë pyeta, a ekziston një video e tillë? A e disponon SPAK-u një video të tillë që e ka gjetur rastësisht gjatë kontrollit të shtëpisë të një gazetari të larguar nga Shqipëria. Unë nuk e disponoj, por kam thënë në deklarim që SPAK të na sqarojë nëse ekziston apo jo. Nëse ajo nuk ekziston, s’ka pse SPAK ta tjerri. Ndoshta dhe SPAK nuk ka mundësi që ajo video të thotë që nuk egziston dhe është në proces hetimi dhe në këtë do ta mirëkuptonim nëse nuk do të përgjigjej. Por, tentativa për të larë fytyrën e Irena Gjokës me skemat e procedurave të Salianjit është një tëntativë e dështuar. Unë i jam referuar në atë pyetje shkrimeve mediatike të cilat janë nga burime të hapura. SPAK ka për detyrë t’i hetojë. Për sa i përket veprave të tjera të Irena Gjokës, unë kam bërë kallëzim penal dhe SPAK ka vendosur mbylljen e procedimit. Nuk e kam përmendur emrin e gazetarit asnjëherë dhe e kam bërë këtë me qëllim për të lejuar SPAK që të sqarojë të gjithë situatën, prandaj ishte pyetje dhe jo konstatim. Ishte një pyetje që nuk cënonte hetimin nëse SPAk jepte një përgjigje. U thirra si një person që mund të ketë dijeni mbi çështjen. Në parim, dhe bazuar në kod, SPAK ka mundësi që të zgjerojë objektin e hetimit dhe të arrijë në zbardhjen e së vërtetës, pavarësisht se e ka nisur me kallëzimin e gjyqtares. Megjithatë, nuk kam besim te një institucion që mbajti për një vit në arrest liderin e opozitës ndërsa Jamarbër Malltezi është në arrest vetëm për faktin se mori tokën e tij. Mund të mendoni se çfarë standardi ka ky institucion. Për sa i përket veprave të tjera penale të Irena Gjokës, SPAK nuk ka preferuar të kryejë hetime,"-u shpreh Malltezi.

Deklarata e Argita Malltezit gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në datën 23 shtator 2024:

Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka pretendohet se gjithashtu është në një video, a është e vërtetë, nuk e di, mua më thonë që është në një video të marrë nga një aparat celular i një gazetari të larguar nga Shqipëria, në të cilin ajo rezulton e filmuar duke biseduar me një ish-eksponent të Partisë Socialiste duke negociuar për tarifën që i kërkon prej 500 mijë euro për të mos e futur në grup të strukturuar kriminal.

Kujtojmë se bashkëshorti i saj, Jamarbër Malltezi është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dosjen Partizani. Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Partizani. Ndërkohë babai i saj, ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë./ZËRI 

Poll

MOS HUMB