Aktualitet

U ekzekutua në Tiranë, Klaudio Prendi kishte konflikte për një borxh 15 mijë euro, i ati ish-gjyqtar: E dija, por s'e prisja!

Pasi ishte kthyer në Shqipëri, disa ditë para se të ekzekutohej, Prendi ishte përplasur fizikisht me disa persona ende të paidentifikuar.

k.m.
U ekzekutua në Tiranë, Klaudio Prendi kishte konflikte për
Klaudio Prendi

TIRANË- Klaudio Prendi mund të jetë vrarë për 15 mijë euro! Një ditë pas ekzekutimit të 30-vjeçarit në Tiranë babai i të ndjerit, ish-gjyqtari Fran Prendi ka zbuluar se i biri kishte konflikte për një borxh. Shuma e të cilit ishte vetëm 15 mijë euro. Pasi ishte kthyer në Shqipëri, disa ditë para se të ekzekutohej, Prendi ishte përplasur fizikisht me disa persona ende të paidentifikuar që u kishte marrë para hua. Policia nga hetimet ka arritur të zbulojë se i riu ka pasur një borxh, pasi luante lojëra fati dhe merrte para me fajde.

Për këtë shkak mendohet se ka ndodhur edhe vrasja. Mesa duket përplasja e disa kohëve më parë është anashkaluar si nga viktima, ashtu edhe nga familja e tij, pasi ish-gjyqtari thotë se nuk e priste që të birit t'i ngrihej pritë dhe të ekzekutohej.

"E dija që kishte konflikte por nuk e prisja që t'i bëhej atentat. Nuk kam dijeni tjetër. Të zbardhet ngjarja dhe të vendoset drejtësi,"-mësohet se është shprehur Fran Prendi.

Po ashtu, është zbuluar se mjeti tip "GClass", që përdorte viktima nuk ishte në emrin e tij, por të një vajze, ndërsa ende nuk dihen detaje lidhur me mjetin që kanë përdorur autorët për vrasjen. Makina tip "AudiA4" u gjet e shkrumbuar në Farkë dhe e vetmja gjë që kishte mbetur ishte targa greke.

Dje, gjatë një interviste për mediat, kryekomisar Asllan Shytaj tregoi se uniformat blu kishin gjetur edhe armën e krimit, e cila ishte e pajisur me silenciator.

"Sot kemi gjetur dhe armën e krimit brenda mjetit të djegur të autorëve, e cila ishte dëmtuar nga djegia,”-tha kryekomisari. 

Si ndodhi ekzekutimi i të riut në Tiranë? 

Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së djeshme, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t'u larguar nga vendi i ngjarjes e kanë ndjekur prej kohësh djalin e ish-gjyqtarit deri në momentin që ai ka dalë vetëm nga lokali. Sapo po hipte në mjetin e tij, ata kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital. Tashmë, nga zona kanë marrë kamerat e sigurisë dhe po punohet për të zbuluar se cilët janë personat që planifikuan dhe kryen atentatin. Pista e borxhit që ka zbuluar i ati i viktimës është vetëm një prej atyre që po hetohen./ZËRI

Poll

MOS HUMB