TIRANË- Apeli i Posaçëm ka shtyrë seancën ndaj ish-presidentit, Ilir Meta, i cili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë. Mësohet se shkak është bërë mungesa e palëve mbrojtëse në proces dhe e gjyqtares së çështjes, e cila ëshë me leje.
Avokati i ish-presidentit, Kujtim Cakrani, ka thënë për mediat se nuk është paraqitur këtë të martë në gjykatë pasi i duhet të ndjekë një seancë penale në Durrës, ndërsa ka deklaruar se ka apeluar pezullimin e afateve të paraburgimit.
Ndëkrohë, bëhet me dije se seanca radhës do mbahet më 15 dhjetor.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI