TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën ku do të shqyrtohet ankimimi i qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre dhe zëvendës kryeministre me vendim të GJKKO. Pasi treshja e gjyqtarëve, Sandër Beci (relatori), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, nuk arriti të dilte më një vendim unanim, çështja kaloi në mbledhjen me tetë gjyqtarë të Kushtetueses, e cila do të zhvillohet më 4 dhjetor. Në këtë mbledhjea, gjyqtarët do të vlerësojnë dhe do të vendosin nëse plotësohen të gjitha kriteret e pranueshmërisë për ta dërguar atë në seancë plenare apo jo. Në padinë e dorëzuar në Kushetuese, nga kryeministria, thuhet se Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kanë ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit, pasi shkarkimi apo emërimi i minitrave është vetëm kompetencë e kreut të qeverisë.
Reagimi i Gjykatës Kushtetuese
Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon: Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.
Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
ÇFARË THUHET NË PADINË E KRYEMINISTRISË
1. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
2. Shfuqizimi i vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.
3. Pezullimi i efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.
4. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.”
Gjatë ditës së djeshme në një përgjigje për Sali Berishën, kryeministri Edi Rama këmbënguli se vendimi i Gjykatës së Posaçme cënon kompetencat e tij, dhe se padia nuk ka lidhje me presionin ndaj sistemit të drejtësisë.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ka ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ, një ministre, që në këtë rast është edhe zv.kryeministre, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidentit nga një prokuror e gjykatës.
Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamentit për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie”, u shpreh dje Rama.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH./ZËRI