
ITALI- Gjykata e Romës ka vendosur që sjellja e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri është në shkelje me ligjin. Seksioni i emigracionit në gjykatën e Romës ka dalë në përfundimin se emigrantët e parë që janë sjelljë në Shqipëri, në fakt duhet të ishin "zbarkuar" në Itali për shkak se vijnë nga vende të pasigurta. Sipas mediave italiane, 12 emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi duhet që të kthehen sa më parë në Itali.
“Dy vendet nga vijnë emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë të sigurta. Për këtë arsye ata do të duhet të kthehen në vendin tonë,"-ka vendosur Gjykata italiane. Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe, ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Në këto kushte, anija "Libra" do të vijë sërish nesër në mëngjes për të rimarrë emigrantët.
Për të tjerët (ata që vijnë nga vendet e sigurta), Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat për azil dhe intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Por edhe lidhur me këta emigrantë, po ashtu, një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vë në pikëpyetje edhe listën e 22 vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”: për të marrë këtë status, asnjë kategori qytetarësh nuk duhet të jetë në shënjestër të diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor. Vendet që konsiderohen të sigurta janë këto: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI