Aktualitet

Marrëveshja për emigrantët 'përçan' Europën, KE: Duhet një model i ngjashëm. BE: S'do funksionojë!

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është komentuar gjërësisht nga vendet e Bashkimit Evropian, pasi sipas tyre, nuk është realizuar sipas rregullave të BE-së.

I.F
Marrëveshja për emigrantët 'përçan'
Anija Libra

TIRANË- Dje në vendin tonë erdhën 16 emigrantët e parë të kapur në det nga autoritetet italiane. Anija “Libra” e Marinës italiane zbarkoi në portin e Shëngjinit dje në orën 08:00 dhe më pas refugjatët, 10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, iu nënshtruan kontrollit të autoriteteve italiane. Pas kontrolleve u vendos se 4 prej tyre duhet të kthehen në Itali. Sipas autoriteteve, 2 prej tyre ishin të mitur dhe 2 të tjerët kishin probleme shëndetësore. Pasi përfunduan procedurat 12 personat e tjerë, u dërguan në kampin e Gjadrit ku do të qëndrojë aty për 30 ditë deri sa të vendoset nëse do të dërgohen në Itali ose në vendin e tyre të origjinës.

Gjithashtu, kampi i Gjadrit u vizitua sot nga tre deputetë të opozitës italiane. Ata erdhën për të parë kushtet e kampit ku do të qëndrojnë refugjatët. Deputetët që vizituan sot kampin janë Roberto Magi i partisë Grupo Piu Europa, Roberto Valaschiani i partisë Verdi Sinistra dhe Rackele Scarpa e partisë Partia Demokratike.

“Dërgimi në një vend jashtë Evropës është pikërisht mesazhi. Jemi një kontinent që bazohemi mbi të drejtat e njeriut. Këtë kamp do ta konsideroja një dështim për atë që nisi dhe kthimi menjëherë pas i 4 prej emigrantëve tregon se kjo nuk është zgjidhje. Po shohim se si po digjen miliona euro të shtetasve italianë përmes kësaj inicaitive,”- tha deputeti i opozitës italiane Roberto Magi.

“Ekstroterritorialiteti është diçka që u përket ambasadave dhe zonat e fluturimit dhe këtu jemi përballë një ambienti me një mur shumë të lartë prej hekuri afër një mali. Ne nuk e dimë se çfarë kriteresh përdoren për emigrantët e kapur dhe pamë se mbi këto kritere u gabua ditën e djeshme,”- tha deputeti opozitar Roberto Valaschiani.

“Ne besojmë se bazuar në ligjin italian këta emigrantë do të kthehen në Itali pasi kjo do të thotë të zbatosh ligjin. Këtu është krijuar një zonë gri që mendojmë se shkel shumë të drejtat e njeriut. Si mundet të përdoret një anije e marinës italiane që nuk është për një ndërhyrje të tillë e sidomos për kategoritë e ndryshme sociale, kjo do të thotë se nuk ka një pikë trajtimi mjekësore, një pikë trajtimi me psikolog dhe këto munguan”, shtoi Rackele Scarpa.

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është komentuar gjërësisht nga vendet e Bashkimit Evropian, pasi sipas tyre, nuk është realizuar sipas rregullave të BE-së. Por ndryshe nga deklaratat e saj të mëparshme shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duket se ndryshuar qëndrim. Para Samitit të BE-së ku në fokus është çështja e emigracionit, Von der Leyen tha se BE mund të mësojë shumë nga kjo marrëveshje. Në një letër drejtuar vendeve anëtare para takimit në Bruksel që do të mbahet sot dhe nesër tha se vetëm 20% e emigrantëve rikthehet në vendin e tyre të origjinës dhe se ata lëvizin në shtetet e tjera të BE-së.

"Aktualisht vetëm rreth 20% kthehen në vendin e tyre të origjinës, që do të thotë se shumica dërrmuese e njerëzve që janë urdhëruar të largohen nga një shtet anëtar i BE-së nuk e bëjnë këtë. Shumë emigrantë qëndrojnë në vend ose lëvizin në një vend tjetër brenda bllokut. Shtetet anëtare duhet të njohin të gjitha vendimet e marra nga vendet e tjera të BE-së për të siguruar që migrantët që kanë një vendim kthimi nuk mund të shfrytëzojnë çarjet në sistem për të shmangur kthimin diku tjetër,”- shkroi Von der Leyen.

Por, nga ana tjetër Emmanuel Macron tha se nuk ka “model italo-shqiptar”. Ai tha se kjo është një marrëveshje “joreale” që do të dështojë.

“Nuk ka kuptim të organizohen diskutime në grupe të veçanta. Franca dëshiron të mbetet brenda rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe brenda kornizës sonë kushtetuese për aksesin në azil,”- tha Macron. Madje, Macron ka refuzuar të marë pjesë në Samitin e BE-së, si shenjë proteste. Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbërritur në Bruksel, për të dëgjuar kritikat rreth marrësveshjes së saj me vendin tonë.

Greqia gjithashtu ka folur kundër kësaj marrëveshje, ku kryeministri Kyriakos Mitsotakis është shprehur se kjo marrëveshje nuk do të funksionojë. Mitsotakis ka thënë se vendi i tij ka nevojë për emigrantë të kualifikuar ose jo. Ai tha se popullsia e kontinetit evropian po zvogëlohet dhe ka nevojë për emigrantë.

“Nuk e di nëse mund të përsëritet në nivel evropian. Ne gjithashtu duhet të shohim nëse funksionon vërtet. Këta persona procedohen sipas legjislacionit italian të azilit dhe çfarëdo që t'u ndodhë, në një mënyrë ose në një tjetër do të kthehen në Itali. Nëse do ta bënim këtë në nivel evropian ... ku do të shkonin ata? Nëse doni të ndërtoni një gardh të madh, ju duhet gjithashtu një derë e madhe. Kush do të na i mbledhë ullinjtë? Ne jemi një kontinent që po zvogëlohet dhe të gjithë e kuptojmë se për të ruajtur produktivitetin tonë, do të kemi nevojë për punë, të pakualifikuar ose të kualifikuar,”- tha Mitsotakis.

“Libra” u nis nga Lampedusa më datë 14 tetor dhe mbërriti dje, 16 tetor. Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe, ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat për azil, ndërsa intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Gjithsesi i gjithë operacioni “Albania” shoqërohet me dyshime si ekonomike, ashtu edhe juridike. Sjellja dhe mbajtja e emigrantëve në dy bazat Shëngjin dhe Gjader ka një kosto dukshëm më të lartë se zbarkimi i tyre në Itali./ZËRI

Poll

MOS HUMB