TIRANË- Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që përcakton standardet e sigurisë dhe rregullat për sipërfaqet e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore në vendin tonë. Sipas vendimit, ambientet duhet të jenë gjithmonë të monitoruara me kamera dhe të ruhen 24 orë nga objekte të specializuara sigurie. Po ashtu, duhet të jenë të rrethuara me mur betoni 4 metra të larta dhe me tela gjembash.
Vendimi i qeverisë:
STANDARDET E PLANIT TË SIGURISË PËR SIPËRFAQEN PËR KULTIVIMIN DHE PËRPUNIMIN E CANNABIS-IT DHE ELEMENTET E MBROJTJES, RRETHIMIT, SIGURISË ME TELEKAMERA DHE SIGURIMIT FIZIK PËR 24 ORË, ELEMENTET PENGUESE PËRPARA HYRJES DHE TEL ME GJEMBA MBI GARDHIN
Subjekti i licencuar në ambientet ku ushtrohet aktiviteti duhet të plotësojë standardet e mëposhtme:
a) Ambientet duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave ÇTV, i pajisur me reader të inkorporuar dhe sensorë lëvizjeje, me rezolucion të lartë, prej të paktën 1280 x 720, me rreze infra të kuqe, përfshirë hapësirën 20 metra jashtë rrethimit, e cila duhet të jetë e ndriçuar. Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud” me vendndodhje në një nga vendet e BE-së;
b) Sistemi i kamerave ÇTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikim i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit;
c) Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli);
ç) Në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror dhe/ose vendor, me sallat e komandimit/informacionit të Policisë së Shtetit;
d) Sipërfaqja ku ushtrohet aktiviteti ruhet 24 orë pa ndërprerje nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike që përfshin dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh;
dh) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba;
e) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur betoni i qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 cm;
ë) Hyrja në ambientet e njësisë është e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara, si dhe monitorohet nga sistemi i kamerave ÇTV, të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike;
f) Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave;
g) Materialet teknike, të cilat garantojnë sigurinë dhe monitorimin, vendosen në një dhomë të veçantë të dedikuar brenda perimetrit të sipërfaqes ku ushtrohet aktiviteti, në të cilën ka akses vetëm personeli përgjegjës për sigurinë.
Subjekti i licencuar paraqet vetëdeklarim për gatishmërinë për të lidhur marrëveshje me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për të garantuar aksesin për inspektim ndaj shoqërisë private të sigurisë fizike, sipas formatit të vetëdeklarimit të përcaktuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Mbajtësi i licencës duhet të ketë dhe të ndjekë procedura për të ruajtur dhe testuar efikasitetin e pajisjeve e të sistemeve të sigurisë. Mbajtësi i licencës duhet të kryejë inspektime periodike të pajisjeve dhe infrastrukturës nga subjekte të licencuara për këtë qëllim.
Skema e sigurisë së objektit së bashku me procedurat e sigurisë, planin e dislokimit dhe transportin e sigurt të cannabis-it përgatitet nga drejtuesi teknik i subjektit të ngarkuar për ruajtjen e sigurinë fizike dhe miratohet nga shefi i Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti dhe hartohet në 4 (katër) kopje origjinale të cilat i vendosen në dispozicion nga 1 (një) kopje subjektit, Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (Agjencia), subjektit të ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
Në rast defekti të sistemeve të sigurisë, subjekti i licencuar ose subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike, në varësi të parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve, ka detyrimin të bëjë riparimin e menjëhershëm, por jo më shumë se 24 orë nga defekti. Subjekti njofton menjëherë Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
Ruajtja dhe sigurimi i ambienteve ku ushtrohet aktiviteti kryhet nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet palëve, në zbatim të përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.
Kontrata hartohet në gjuhën shqipe në 4 (katër) kopje origjinale të cilat depozitohen nga 1 (një) kopje për subjektin, Agjencinë, subjektin e ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti”, thuhet në vendim. /ZËRI