TIRANË- Monika Kryemadhi ka vijuar kundërshtimet ndaj akuzës së SPAK gjatë seancës në GJKKO, ku po zhvillohet gjyqi ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta.
Kryemadhi ka pretenduar se prokuroria ka përzgjedhur komunikimet e përdorura si prova në dosje, duke lënë jashtë komunikime të tjera, sipas saj edhe më të shumta, me kryeministrin Edi Rama.
"Ekzistojnë komunikime me Edi Ramën, më shumë se komunikime ndërveprimesh me Ilir Metën, pra janë komunikime që tregojnë ndërveprim mes meje e Kryeministrit. Këtu është Edi Rama, pse ndryshon standardi, ose njësoj për të gjitha provat, ose seleksionimi për të shkuar tek akuzë politike. Janë përzgjedhur fragmente që i shkonin akuzës dhe janë përjashtuar ndërveprime të tjera të njëjta si për ato të tjerat. Këto komunikime nuk janë konsideruar në akuzë, megjithëse tregojnë sjelljen time institucionale. Asnjë prej komunikimeve nuk tregon ndikim të paligjshëm. Ato tregojnë se bisedimet ishin në kuadër të një procedure administrative.", është shprehur Kryemadhi.
Më tej, Kryemadhi përmend disa mesazhe me kryeministrin Rama ku ai i ka thënë “bëje urgjent” dhe ajo ia ka komunikuar këtë më pas Shatkut. Sipas Kryemadhit, këto mesazhe tregojnë se komunikimet e saj nuk lidhen me ndërhyrje në favor të dikujt. Megjithatë, Kryemadhi kërkon të dijë pse nuk është pyetur Rama për këtë mesazh.
Monika Kryemadhi: SPAK përpiqet të krijojë idenë se drafti tregon ndikimin tim tek ministri Haxhinasto. Më thotë Xhixho se draftin ia ka dërguar Haxhinastos. Unë i them që ma dërgo edhe mua një kopje dhe kaq është. Rezulton vetëm një draft dokument brenda procedurave. Pirro i kishte kthyer përgjigje Mond Haxhinastos. Ky i fundit i ka dërguar kërkesë për informacion për tregun e fibrave optike. Ia dërgon dhe Milena Haritos këtë shkresë. Pse jam unë dhe Pirro dhe pse nuk ishte Haxhinasto e Harito? Sepse edhe unë isha në komisionin për dixhitalizimin. Unë isha përgjegjësja dhe e vetmja që e njihja tregun, për shkak të rrethanave. Thuaj me kë rri, të them cili je. Shatku kërkesën e parë për Haxhinaston e bëri në 2014. Ai i thotë se do të pyesë AKEP-in se si është procedura. Po të ishte se kishte ndikim, e kishte bërë për 5 minuta. Nuk mund të thuhet se takimi kishte prodhuar atë gjë që pretendon akuza, sepse ende nuk ishin mbledhur të dhëna. Kur lexon komunikimet e mia me Ramën, kupton se nuk ka ndikim.
Mesazhet me Edi Ramën:
E di që je i lodhur, por më thotë Pirro se duhet me bordin e vjetër.
Rama më thotë: “Kush bord, o zemër?”
Pirro i them.
Më thotë Pirro ta mbylli për vete.
Do flas me Ahmetajn dhe të them.
Rama thotë: “E di, e di, e kam të qartë.”
Dokumentet tregojnë se procedura administrative kishte filluar më parë. Nga ballafaqimi rezulton se akuza ka interpretuar mesazhe institucionale si ndikim të paligjshëm. Haxhinasto kishte kërkuar informacion para emaileve.
Më pas kemi mesazhin që i shkruaja Shatkut. Isha me Ramën dhe më tha: “Bëje urgjent.”
Nuk kam asnjë mesazh me Metën. Zero mesazhe. Unë i kam thënë: “Bëjeni urgjent”, sepse ma tha Rama. Është pyetur Edi Rama pse më ka shkruar kështu dhe çfarë lidhje ka ai me Shatkun?