TIRANË-Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Plarent Dervishajn për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagos ish-prokurori dhe Aleksandër Laho, i njohur si "Rrumi". Për Julian Meçen gjykata vendosi 35 vite burgim. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij.
Plarent Dervishaj u ekstradua nga Dubai i Emirateve të Bashkuara Arabe në gusht të vitit 2024, si personi kryesor i përfshirë në atentatin ndaj ish- prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, në nëntorin e vitit 2019, në mbikalimin e Shkozetit. Edhe Julian Meçe, ish-anëtari i bandës së Durrësit akuzohet se bashkë me Plarent Dervishajn janë porositësit e atentatit të ndodhur më 1 nëntor 2019.
Atentati ndodhi me 1 nëntor të vitit 2019, ndërsa Ndoja dhe shoferi i tij po udhëtonin në shoqërinë e Aleksandër Lahos, një personazh i krimit të organizuar, i shpallur në kërkim dhe i njohur përmes nofkës së tij “Rrumi”. Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja që me manovrat e tij i shpëtoi jetën ‘shefit’ gjatë atentatit të datës 1 nëntor, ndërroi jetë një javë pas ngjarjes në spitalin e Traumës. Maloku mori dy plumba, një në shtyllë kurrizore dhe një në kraharor teksa mundohej të nxirrte makinën nga rruga, ditën e që Ndoja u sulmua nga dy kallashnikovë pranë mbikalimit të Shkozetit. I plagosur mbeti edhe Rrumi i Shijakut, i cili ndodhej në të njëjtin automjet.
Ndër të dënuarit lidhur me atentatit është Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili u dënua me 6 vite burg. Genti Ndërjaku mori një dënim prej 5.4 vite, ndërsa Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani u dënuan me nga 4.8 vite secili. Julian Pjetri u dënua me 4.4 vite heqje lirie. Për këtë ngjarje, Redjan Rraja, një tjetër nip i ish-deputetit Rrahman Rraja, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Ariol Halili është dënuar me 35 vite burg.
Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Dervishajt iu bë një atentat në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, ku dy të plagosurit ishin duke hipur në makinën e Dervishajt. Meçaj mori tre plumba në trup, ndërsa Plarent Dervishaj morri një plumb në këmbë. Brenda makinës tip Range Rover ishte edhe Bashkim Haxhia, mik i tyre, i vetmi i arrestuar për këtë ngjarje pasi akuzohet se iu kundërpërgjigj me armë në drejtim të autorëve./ZËRI