Aktualitet

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU: Janë bllokuar mbi 150 kg ushqime te Akademia dhe te 'Sori-Al', gjobitet subjekti

Gjithashtu janë marrë mostra për analiza laboratorike dhe janë vendosur masa administrative për mungesë të gjurmueshmërisë.

zh.ll
Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU:
akademia e sigurise-aku

TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar pas dyshimeve për helmim të disa kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke kryer kontrolle në subjektin furnizues të ushqimit “SORI-AL” dhe në ambientet e përgatitjes së ushqimit.

Gjatë inspektimeve janë bllokuar gjithsej 153.2 kg produkte ushqimore dhe 1,350 kokrra vezë. Gjithashtu janë marrë mostra për analiza laboratorike dhe u vendos masa administrative prej 100 mijë lekësh ndaj subjektit për mungesë të gjurmueshmërisë.

Ndërkohë, priten rezultatet për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet një komunikimi ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie.

Menjëherë nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë këtij institucioni, ushqim që vjen i gatshëm prodhuar në ambientet e garnizonit “Skërnderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura Tiranë.

Sipas kontrollit të ushtruar të ambientet e kuzhinës së vendosur brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme.

Nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti SORI-AL, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë.

Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV.

Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.

Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë u krye kontroll edhe në ambientet e subjektit SORI-Al me adresë “Garnizoni Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, ku u konstatua se OBU nuk u gjet në proces pune pasi prodhimi kryhet në orare të caktuara.

Në subjekt nuk u konstatua produkt i gatshëm për konsum, pasi produktet e prodhuara shpërndahen menjëherë tek pikat kontraktuese.

Për qëllim të inspektimit në subjekt janë marrë mostra për produktet e konstatuara dhe më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike të cilat u dërguan pranë laboratorit të ISUV.

U bllokua sasia gjendje prej 67.3 kg produkte,1350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë në vlerën e 100 mijë lekëve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë procesit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

Poll

MOS HUMB