TIRANË- Një ngjarje e rëndë është raportuar mëngjesin e sotëm në Tiranë, ku rreth 56 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.
Sipas burimeve paraprake, studentët kanë filluar të ndihen keq menjëherë pas konsumimit të ushqimit të shërbyer në ambientet e shkollës në vaktin e drekës, një ditë më parë (6 maj). Dyshohet se shkak i helmimit është ushqimi i konsumuar. Disa prej tyre kanë shfaqur shqetësime shëndetësore më të rënda dhe janë transportuar në spital për trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit të policisë, lidhur me rastin janë arrestuar 2 persona. Në pranga kanë rënë Kujtim Ballgjini dhe Kristjana Plaka, kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering që shpërndante ushqimin në 3 vakte për studentët, ndërsa është shpallur në kërkim administatorja e kompanisë “SORI-AL”, Alma Tafani.
Ushqimi në institucion ofrohet nga kompania private në fjalë, e cila është përgjegjëse për furnizimin me tre vakte ditore për studentët. Dyshimet fillestare lidhen pikërisht me këtë shërbim ushqimor, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e saktë të incidentit.
Njoftimi i Policisë:
Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:
-arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;
-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe.
Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./ZËRI
