Aktualitet

‘Haribo me kanabis’/ Policia e Shtetit letër Ministrisë së Arsimit: Shkaktojnë helmim dhe çrregullime

Sipas Policisë, janë regjistruar raste kur substanca të kanabisit janë futur në karamelet e njohura si “Edibles” ose “Haribo”.

F.I
‘Haribo me kanabis’/ Policia e Shtetit letër Ministrisë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka informuar Ministrinë e Arsimit dhe Sportit mbi një formë të re të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, e cila rrezikon edhe shkollat. Në një letër drejtuar Ministrisë, Policia bën me dije se bëhet fjalë për substanca me përmbajtje të lartë THC, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, të cilat paraqiten në formën e produkteve ushqimore të njohura si "Edibles".

Sipas Policisë, janë regjistruar raste kur substanca të kanabisit janë futur në karamelet e njohura si “Edibles” ose “Haribo”. Kreu i Policisë, Skënder Hita thekson se ngjashmëria e tyre me karamelet dhe produktet e tjera ushqimore e bën të vështirë identifikimin vizual dhe rrit ndjeshëm rrezikun e konsumimit aksidental, veçanërisht nga të miturit.

Përmes dokumentit, Policia kërkon nga Ministria e Arsimit rritjen e ndërgjegjësimit në institucionet arsimore dhe informimin e stafit mësimdhënës, nxënësve dhe strukturave vendore mbi rrezikun që paraqet konsumimi i këtyre produkteve.

LETRA:

E nderuar Znj. Kumbaro, Njësia e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm të substancave të reja psikoaktive, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nëpërmjet Institutit të Policisë Shkencore (IPSH). është njohur me një informacion mbi një formë të re trafikimi dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, të paraqitura si produkte ushqimore me përmbajtje të lartë THC (nga cannabis), e cila pas ekstraktimit në gjalp nga materiali bimor, në një banesë në Durrës, rezulton e përpunuar në formë xheli, e njohur si "Edibles".

Kjo formë e këtyre produkteve paraqet vështirësi në identifikimin vizual, duke rritur ndjeshëm rrezikun e konsumimit veçanërisht nga të miturit dhe fëmijët, për shkak të ngjashmërisë me produkte të tjera ushqimore në formë xheli (haribo, karamele etj.).

Përqëndrimi i lartë i THC-së në produkte të tilla mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, duke përfshirë efekte toksike akute, çrregullime neurologjike, si dhe reaksione të rënda psikoaktive, sidomos tek fëmijët dhe individët vulnerabël. P

ër sa më sipër, në kuadër të masave për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe në veçanti, të substancave të reja psikoaktive, informacioni ju përcillet për njohje, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit pranë strukturave arsimore, qendrore e vendore, stafit mësimëdhënës dhe nxënësve të institucioneve të arsimit parauniversitar, mbi rrezikun që paraqet konsumimi i këtyre produkteve, të cilat konsiderohen kërcënim serioz për shëndetin publik, sidomos për të miturit dhe fëmijët. Bashkëlidhur ju përcjellim disa foto të produkteve ushqimore "Edibles" të gjetura në Shqipëri. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin! DREJTORI I PËRGJITHSHËM

‘Haribo me kanabis’/ Policia e Shtetit letër Ministrisë

Poll

MOS HUMB