Aktualitet

Lehtësohet lëvizja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Shkupi miraton sistemin “One Stop Shop”

Sipas planit, faza e parë e zbatimit do të nisë në pikën kufitare të Qafë Thanës, ndërsa më pas sistemi pritet të shtrihet edhe në pika të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

F.I
Lehtësohet lëvizja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë
FOTO ILUSTRUESE

SHKUP-Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendosjen e sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar “One Stop Shop” me Shqipërinë, një hap që synon lehtësimin dhe përshpejtimin e lëvizjes së qytetarëve mes dy vendeve.

Me këtë vendim, Maqedonia e Veriut përmbyll procesin e zbatimit të këtij modeli me të gjitha vendet fqinje që nuk janë pjesë e zonës Shengen, pasi sistemi tashmë funksionon edhe me Serbinë dhe Kosovën. Për hyrjen në fuqi të plotë të marrëveshjes mbetet vetëm nënshkrimi zyrtar mes ministrive të Brendshme të dy vendeve.

Sipas planit, faza e parë e zbatimit do të nisë në pikën kufitare të Qafë Thanës, ndërsa më pas sistemi pritet të shtrihet edhe në pika të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësja e qeverisë maqedonase, Venera Azizi, deklaroi se “One Stop Shop” do të mundësojë procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe më të sigurta për udhëtarët, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi në kufi rritet ndjeshëm.

”Kjo do të mundësojë kalim më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të sigurt të kufirit shtetëror, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm frekuenca e udhëtarëve dhe kur në të kaluarën qytetarët shpesh kanë ngritur shqetësime për pritjet e gjata në pikat kufitare”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.

Vetëm gjatë vitit 2025, në pikat kufitare me Shqipërinë janë regjistruar mbi 4.5 milionë udhëtarë, ndërsa më shumë se 2.3 milionë prej tyre kanë kaluar përmes Qafë Thanës. Autoritetet vlerësojnë se sistemi “One Stop Shop” do të reduktojë ndjeshëm kohën e pritjes dhe do ta bëjë më efikas qarkullimin e qytetarëve në kufi.

Poll

MOS HUMB