PUKË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arst, bashkia Fushë Arrëz, ku një çift bashkëshortësh dyshohet se janë dhunuar nga disa kultivues droge. Raportohet se fillimisht është sulmuar burri, Skënder Nika që sapo kthehej nga puna për shtëpi, teksa më vonë është dhunuar edhe bashkëshortja e tij, Bardhe Nika.
Dyshohet se çifti ka sinjalizuar policinë për një operacion antidrogë 3 javë më parë, ku blutë asgjësuan 3 parcela me kanabis. Denoncimi i parcelave dyshohet se është bërë shkak i dhunës ndaj tyre. Ende nuk dihet identiteti i autorëve, ndërsa autoritetet po punojnë për kapjen e tyre.
Njoftimi i policisë:
Fushë-Arrëz/Informacion paraprak
Më datë 17.06.2026, rreth orës 08:00, në fshatin Arst, në rrugë, dyshohet se 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta, shtetasit S. N., 55 vjeç dhe B. N., 51 vjeçe, të dy banues në fshatin Arst.
Si pasojë, dy shtetasit kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.