KAPSHTICË- Ditën e hënë, më 27 korrik, do të pezullohet përkohësisht puna në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës për shkak të grevës së paralajmëruar nga punonjësit e doganës greke.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritet bëjnë me dije se lëvizja në kufi do të ndërpritet nga ora 05:00 deri në 09:00, sipas orës shqiptare. Gjatë këtij intervali nuk do të lejohet kalimi i automjeteve, si në hyrje ashtu edhe në dalje të pikës kufitare.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, udhëtarëve dhe subjekteve tregtare që të shmangin kalimin nga Kapshtica gjatë këtij orari, për të evituar pritjet dhe radhët e gjata
“Njoftim për qytetarët dhe bizneset. Për shkak të grevës së punonjësve të doganës greke, Dega Doganore e Kapshticës do të jetë e mbyllur ditën e hënë, më 27 korrik, nga ora 05:00 deri në 09:00 (ora shqiptare).
Sipas njoftimit të autoriteteve doganore greke, gjatë këtij intervali kohor do të ndërpritet lëvizja në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë. Si në hyrje, ashtu edhe në dalje të degës doganore, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve.
Dogana Shqiptare u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë të shmangin lëvizjen nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë gjatë intervalit 05:00–09:00, ditën e hënë, më 27 korrik”, thuhet në njoftim.