VLORË– Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të qytetit. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer në pyllin me pisha pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit. Tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës, ndërsa situata paraqitet shqetësuese për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit.
Zjarri ka marrë përmasa të konsiderueshme dhe rrezikon të përfshijë një sipërfaqe të madhe me pyje dhe bimësi, ndërsa ekziston rreziku që flakët t’u afrohen edhe bizneseve dhe ambienteve të tjera pranë zonës.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Terreni me bimësi të dendur, si edhe era e fortë, po e vështirësojnë ndërhyrjen e tyre.
View this post on Instagram
Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht në Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar angazhimin e forcave në terren. Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.
Deri në këto momente nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa sipërfaqja e përfshirë nga flakët mbetet ende e paqartë. Autoritetet vijojnë operacionin për vendosjen e situatës nën kontroll./ZËRI