TIRANË-Policia e Tiranës ka zbardhur vjedhjen e ndodhur 10 ditë më parë në një banesë në Sharrë, ku u grabitën 2.5 milionë lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 mijë lekë.
Blutë duke ndarë pamjet nga brenda banesës, informojnë se në grabitje u përfshinë 4 persona, të arrestuarit Leonard Sinani 26-vjeç, Kleand Tomja 23-vjeç, Mark Hila 37-vjeç dhe një i katërt i shpallur në kërkim me inicialet A.B. Me kapuç dhe të maskuar GRABITëSIT janë kapur 'mat' nga kamerat e sigurisë duke vjedhur në banesë.
Në kuadër të hetimeve lidhur me rastin, nga kontrollet e kryera në servisin e automjeteve në Astir në bashkëpronësi të A.B., dhe Mark Hilës, u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri, 3 krehra, 82 fishekë luftarak, 2 automjete mes tyre një 'Maserati' 1 motor dhe 2 palë targa automjetesh. Ndërkohë në banesën e 23-vjeçarit Kleand Tomja, u gjet dhe u sekuestrua 1 automjet dhe 55 000 lekë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Last Scheme”.
Zbardhet vjedhja në një banesë në Sharrë, ku para 10 ditësh u morën 2 500 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 000 lekë.
Identifikohen 4 shtetasit, të cilët të organizuar si grup, dyshohet se kryen krimin. Kapen dhe vihen në pranga 3 prej tyre.
2 prej autorëve fshihnin në servisin për mjete, që kishin në bashkëpronësi në Astir, 1 armë zjarri dhe 3 krehra me 82 fishekë.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municioni dhe 2 palë targa, si dhe 4 mjete dhe 55 000 lekë, me burime të dyshuara kriminale.
Si rezultat i hetimit intensiv të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në koordinim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vjedhjes në banesën e shtetasit D. S., më datë 14.08.2026, u finalizua operacioni i koduar “Last Scheme”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga 3 nga autorët e dyshuar të rastit, konkretisht shtetasit L. S., 26 vjeç, K. T., 23 vjeç dhe M. H., 37 vjeç, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi A. B.
Në vijim të veprimeve operacionale u krye kontroll në servisin për mjete, në bashkëpronësi të shtetasve A. B. dhe M. H., ku u gjetën 1 armë zjarri, 3 krehra, 82 fishekë luftarak, 2 automjete, 1 motomjet dhe 2 palë targa automjetesh.
Më tej u krye kontroll në banesën e shtetasit K. T., nga ku u sekuestruan 1 automjet dhe 55 000 lekë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për dokumentimin e plotë të këtij rasti kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.