Aktualitet

U vra nga Thaçi? Dokumenti i vitit 2000 sfidon versionin e Hagës, gruaja e Behajdin Allaqin: E mori Policia serbe

Dokumenti thotë se Nazmije Allaqi kishte raportuar se bashkëshorti i saj ishte marrë nga policia serbe në fshatin Drenoc dhe se prej asaj kohe ajo nuk e kishte parë dhe nuk kishte dëgjuar më prej tij.

F.I
U vra nga Thaçi? Dokumenti i vitit 2000 sfidon versionin e Hagës,
Behajdin Allaqi dhe Hashim Thaçi

TIRANË-Një dokument hetimor i vitit 2000 po rikthen në qendër të vëmendjes rastin e zhdukjes së Behajdin Allaqit, një prej rasteve që Gjykata Speciale përdori në arsyetimin e aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Në aktgjykimin e 16 shtatorit, Dhomat e Specializuara arritën në një përfundim tjetër për fatin e Behajdin Allaqit dhe e lidhën drejtpërdrejt Hashim Thaçin me arrestimin, transferimin dhe vrasjen e tij.

Sipas Trupit Gjykues, në vitin 1993 Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën lidhur me Shaban Shalën, i cili dyshohej prej tyre si spiun i Serbisë. Gjykata tha gjithashtu se, para zhdukjes, Behajdin Allaqi ishte nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së dhe se Thaçi e Kadri Veseli kishin kërkuar të informoheshin për praninë e tij në shtabin e UÇK-së në Drenoc. 

Sipas versionit të pranuar nga Trupi Gjykues, më 11 qershor 1998 ose rreth kësaj date, Allaqi u largua nga shtëpia dhe shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Gjykata konstatoi se Thaçi dhe Veseli mbërritën më pas dhe e morën Allaqin në pranga. Ai nuk u pa më dhe Trupi Gjykues tha se ishte bindur se Allaqi ishte vrarë.

Por ky version, bie ndesh me deklaratën e Nazmije Allaqi, e cila në nëntor të viti 2000, raportoi se bashkëshorti i saj ishte i zhdukur që prej 11 qershorit 1998. Në pjesën “Background of Case”, dokumenti thotë se Nazmije Allaqi kishte raportuar se bashkëshorti i saj ishte marrë nga policia serbe në fshatin Drenoc dhe se prej asaj kohe ajo nuk e kishte parë dhe nuk kishte dëgjuar më prej tij.

U vra nga Thaçi? Dokumenti i vitit 2000 sfidon versionin e Hagës,

Përveç dokumentit, ku shprehet deklarata e bashkëshortes së Behajd Allaqit, Gjykata u shpreh se pas luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Azem Syla u përpoqën të qetësonin familjen e Behajdin Allaqit me ryshfet dhe premtime në mënyrë që të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe i së vërtetës. 

Dokumenti nuk provon, i vetëm, se cili prej dy versioneve është i saktë, por mund të marrë rëndësi edhe në betejën e ardhshme juridike. Mbrojtja mund të shqyrtojë nëse deklarimi i bashkëshortes është administruar dhe si është peshuar kundrejt provave mbi të cilat Gjykata ndërtoi përfundimin e saj për fatin e Behajdin Allaqit.

Arsyetimi i Gjykatës:

“Gjithashtu, z. Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme që përfshinin si vijon. Përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike dhe përdorimit të “luftës speciale”, z. Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Z. Thaçi gjithashtu mori pjesë personalisht në krime, përfshirë në arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Baicë, në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit, dhe kishte dijeni për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë.

Në lidhje me Behajdin Allaqin, Trupi Gjykues konstatoi se në vitin 1993, Behajdin Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën, të cilët e akuzuan se kishte sjellë një spiun të pretenduar të Serbisë, Shaban Shalën, në radhët e lëvizjes politike të cilës i takonin, me çka i kishte vënë në rrezik të madh anëtarët e lëvizjes. Kjo rezultoi në marrjen prej z. Thaçi të rolit që i ishte premtuar Behajdin Allaqit. Trupi Gjykues gjithashtu ka konstatuar se para zhdukjes së tij, Behajdin Allaqi kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kishin kërkuar të informoheshin për praninë e tij në shtabin e UÇKsë në Drenoc.

Më 11 qershor 1998, ose rreth kësaj date, Behajdin Allaqi u nis prej shtëpisë së vet dhe shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Pak më pas, mbërritën z. Thaçi dhe Kadri Veseli. Ata e morën Behajdin Allaqin në pranga. Behajdin Allaqi nuk u pa më kurrë dhe Trupi Gjykues është bindur se ai u vra. Për të fshehur përgjegjësinë, personat në fjalë ndërmorën masa të ndryshme. Më 1 nëntor 1998, u publikua Komunikata 61 nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ku thuhej se Behajdin Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë. Kjo ishte mbulesë që kishte për qëllim të fshihte të vërtetën për atë që i kishte ndodhur Behajdin Allaqit.

Po kështu, pas luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Azem Syla u përpoqën të qetësonin familjen e Behajdin Allaqit me ryshfet dhe premtime në mënyrë që të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe i së vërtetës. Është meritë e jashtëzakonshme e familjes që u rezistoi këtyre ofertave. Edhe Shaban Shala ishte arrestuar dhe keqtrajtuar nga UÇK-ja në Drenoc. Edhe ai u vra në rrethanat e përshkruara në Aktgjykim”, tha gjyqtari Charles Smith.

Poll

MOS HUMB