DURRËS- Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre zyrtaret e Postës Shqiptare të Durrësit, të akuzuara për shpërdorim detyre dhe vjedhje të parave të pensioneve.
Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për Elisabeta Mataj, “Arrest në shtëpi” për Valbona Duni si dhe “Arrest në shtëpi” për Paola Danaj.
Burime bëjnë me dije se gjatë seancës prokurori ka sjellë edhe detaje të tjera nga hetimi, duke përmendur edhe frekuentimin e kazinove nga drejtoresha e filialit. Nga ana tjetër, Elisabeta Mataj nuk ka mohuar frekuentimin në kazino, duke shtuar se një gjë nuk i ndalohet me ligji pasi është një qytetare e lirë.
“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, mësohet të jetë shprehur Mataj para gjykatës.
E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar paratë që dyshohet se janë përvetësuar, Elisabeta Mataj është përgjigjur se nuk e di.
Por, ndërkohë, shefja e financës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Valbona Hoti Duni, mësohet se ka deklaruar para gjykatës se paratë e vjedhura nuk i ka mbajtur ajo, por i ka marrë drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, në zyrën e saj.
Ish-drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Doni dhe arkëtarja Paola Dana, u arrestuan 3 ditë mëp parë nën dyshimet për abuzim me fondet e destinuara për pensionet dhe ndihmat sociale.
Hetimi ndaj tyre ka nisur nga Prokuroria e Durrësit, pas dyshimeve se rreth 69 milionë lekë të rinj, të parashikuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, nuk janë arkëtuar.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026. Prokuroria dyshon se shuma është përvetësuar në bashkëpunim nga tre të arrestuarat. Për këtë çështje është regjistruar procedimi penal për veprat “shpërdorimi i detyrës” dhe “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.
Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe është kallëzuar në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të disa parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm./ZËRI
