MALËSI E MADHE- Një 39-vjeçar është arrestuar në Malësi të Madhe, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në pranga ka rënë Gentjan Handraj alias Gentjan Hotaj, ndaj të cilit, autoritetet spanjolle i kanë caktuar masën “arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, të kryera me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, 39-vjeçari pritet t’u dorëzohet autoriteteve spanjolle, pasi kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit/Finalizohet nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Fast”.
I kërkuar në Spanjë për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, kapet në Malësi të Madhe 39-vjeçari.
Në vijim të koordinimit informativ dhe operacional me homologët në Spanjë, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u lokalizua në Malësi të Madhe dhe u arrestua provizorisht shtetasi:
G. H. alias G. H., 39 vjeç, lindur në Koplik.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle, me vendim të datës 08.07.2026, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, të kryera me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit në Spanjë.