Aktualitet

Ftesa e Ramës, Gjykata e Lartë i thotë "Jo" tryezës, Sadushi: Çështja në Kushtetuese, mbetemi të hapur për dialog

Në një përgjigje dërguar kryeministrisë, një ditë më parë, kreu i kësaj gjykate, Sokol Sadushi, argumenton se diskutimi është i pavend në këtë moment, pasi ligji i ri për pagat është tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

zh.ll
Ftesa e Ramës, Gjykata e Lartë i thotë "Jo"
edi rama-sokol sadushi

TIRANË- Gjykatë e Lartë nuk do të përfaqësohet në tryezën e thirrur nesër nga kryeministri Edi Rama, ku pritet të diskutohet skema e re e pagave për magjistratët. Në një përgjigje dërguar kryeministrisë, një ditë më parë, kreu i kësaj gjykate, Sokol Sadushi, argumenton se diskutimi është i pavend në këtë moment, pasi ligji i ri për pagat është tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Në përgjigjen e dërguar më 26 shtator, Sadushi i rikujton qëndrimin e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, pak ditë më parë, duke sqaruar se mungesa në tryezën e 28 shtatorit nuk nënkupton mbylljen e dialogut me ekzekutivin. Madje, ai propozon një tryezë me një objekt më të gjerë, duke e konsideruar të nevojshëm një dialog mes pushteteve. 

Përgjigjia e Kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, dërguar kryeministrisë më datë 26 shtator 2026

“Mirëmëngjes,

Në vijim të komunikimit tuaj të djeshëm për konfirmimin e pjesëmarrjes në takimin e datës 28 shtator, dëshiroj të rikujtoj qëndrimin e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve.

Besoj te dialogu ndërmjet pushteteve dhe mbetem i hapur ndaj tij. Megjithatë, pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur.

Në këto kushte, pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, vetëm për të përsëritur qëndrimin institucional të shprehur publikisht, nuk do t’i shtonte dialogut një përmbajtje të re. Dialogu ka vlerë kur ekziston hapësira institucionale që prej tij të prodhohet diçka më shumë sesa ritheksimi i qëndrimeve të bëra të qarta.

Kjo nuk e mbyll hapësirën e dialogut institucional. Sikurse kam theksuar, drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.

Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar.

Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër.

Me konsideratë,

Sokol Sadushi

Kryetar i Gjykatës së Lartë”

Në mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, Sadushi iu përgjigj Ramës, duke thënë se tryeza e propozuar nuk mund të përdoret për të negociuar vendimet e gjykatës, duke shtuar se megjithatë, nuk do ta mbyllin derën e dialogut.

Më 21 shtator, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me një tjetër kërkesë për çështjen e pagave. Ata paraqitën një padi kundër ligjit për pagat e magjitratëve të miratuar pak ditë më parë në Kuvend.

Në kërkesën e tyre, shoqatat kërkojnë shfuqizimin e ligjit nr. 95/2026, që ndryshon ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po ashtu, ata kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Pas miratimit të projektligjit në Kuvend, vetë kryeministri Rama u bëri thirrje për një tryezë të përbashkët punes mes përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. /ZËRI

Poll

MOS HUMB