
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Bledar Çafin, i arrestuar në Shkodër me urdhër të SPAK. Mësohet se gjatë seancës gjyqësore, Çafi nuk ka dhënë deklarime para gjyqtarit, ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij.
Cafi u arrestua mëngjesin e djeshëm, 26 shtator, në banesën e tij në Shkodër, gjatë një operacioni të SPAK, Policisë së Shtetit, RENEA-s dhe BKH-së.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, Bledar Cafi akuzohet për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.
Por kjo nuk është hera e parë që 50-vjeçari, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore vendoset në pranga. Cafi është përmendur disa herë për ngjarje të ndryshime kriminale, kryesisht në zonën e Shkodrës. Ai u arrestua në vitin 2021 me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku shteti fqinj e akuzonte për pjesëmarrje në organizata kriminale. Më datë 4 qershor të 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi Cafin me 4 vite dhe 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha.
Cafi është akuzuar për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001, por nuk është shpallur kurrë fajtor pasi hetuesit nuk kanë gjetur mjaftueshëm prova për ta ndëshkuar. Lidhur me vrasjen u dënua me 14 vjet burg, vetë djali i viktimës, Fatos Mustafajn. Ky i fundit bëri vetëm 6 vite burg, derisa Prokuroria e Përgjithshme bëri kërkesë në Gjykatën e Lartë për rishikim të vendimit të dhënë, pasi ishin mbledhur prova të reja që fajësonin kushërinjtë Gani Cafi e Asllan Cafi, për vrasjen e Shyqyri Mustafajt.
Ai rezulton i arrestuar edhe nga oficerët e Interpolit në Lyon të Francës, pasi ndaj tij ishte lëshuar një udhër-arresti ndërkombëtar.
Cafi dhe vëllezërit e tij rezultojnë edhe pronarë të disa subjekteve në Shkodër. Një prej pasurive të paluajtshme që ndodhet në emër të Bledar Cafit është në bashkëpronësi me 7 trashëgimtarë të tjerë, e fituar me dëshmi trashëgimie nga babai i tij Asllani, e legalizuar në vitin 2011 dhe e kaluar në bashkëpronësi në vitin 2017. Mbi këtë pasuri është ngritur resorti “Prince Of Lake”, i cili përbëhet nga disa biznese si lavazh, Bar-Kafe, Restorant dhe hotel. Në vitin 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, objekti tre katësh me një sipërfaqe ndërtimi në total 900 m2 u konfiskua me vendim të gjykatës.
Po ashtu Cafi zotëron 45% të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër./ZËRI
