TIRANË-Nesër më 20 gusht, një delegacion nga 'Flotilja Globale Sumud' do të niset nga porti i Brindisit për në ishullin e Sazanit, në Shqipëri, për t'u bashkuar me mobilizimin kundër projektit për të transformuar ishullin dhe bregdetin e afërt të Zvërnecit në një destinacion turistik luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Në një bisedë telefonike me gazetaren e “Syri TV”, Alba Kepi, koordinatori kombëtar i Global Sumud Flotilla, Tony La Piccirella, ka dhënë detaje mbi misionin dhe arsyet që e kanë çuar flotiljen drejt Shqipërisë. Sipas La Piccirella-s, drejt Shqipërisë pritet të nisen rreth tre anije, me rreth 30 aktivistë, ndërsa në të njëjtën kohë, përmes linjës së tragetit që lidh Puglian me Shqipërinë, do të udhëtojnë edhe dhjetëra shqiptarë. Misioni, sipas tij, vjen edhe pas kërkesës për mbështetje nga aktivistët shqiptarë të “Flamingo Revolution”.
La Piccirella e përshkroi nismën si një veprim me simbolikë të fuqishme, që synon të vendosë në qendër të vëmendjes rolin e komuniteteve në vendimmarrjen për projekte me vlerë miliarda euro dhe ndikim të drejtpërdrejtë mbi territorin, natyrën dhe mjedisin. Global Sumud Flotilla është e njohur mbi të gjitha për misionet e solidaritetit me popullin palestinez dhe përpjekjet për të sfiduar bllokadën humanitare ndaj Gazës.
Por këtë herë, sipas La Piccirella-s, simbolika e misionit është zgjeruar. Ai e lidh betejën për Palestinën me një debat më të gjerë mbi kontrollin e territorit, kapitalin ndërkombëtar dhe të drejtën e komuniteteve për të vendosur për të ardhmen e zonave ku jetojnë.
Në Shqipëri, kjo çështje lidhet me protestën e “Flamingo Revolution”, e cila kundërshton projektet e mëdha turistike në Sazan dhe në zonën e Zvërnecit e Nartës. Protesta shqiptare është shndërruar në një lëvizje të gjerë qytetare, ndërsa flamingot e lagunës janë kthyer në simbol të mbrojtjes së territorit.
La Piccirella: Të njëjtët arkitektë në “Riviera Gaza”, Sazan dhe Zvërnec?
Një nga deklaratat më të forta të bëra nga Tony La Piccirella gjatë bisedës telefonike me “Syri TV” lidhet me arkitekturën dhe ekipet profesionale pas projekteve të mëdha.
I pyetur nëse sheh një lidhje mes projektit të ashtuquajtur “Riviera Gaza” dhe mega-projekteve turistike që po diskutohen në Shqipëri, La Piccirella tha se, sipas informacionit që ai disponon, disa prej arkitektëve që kanë realizuar projektet e lidhura me “Riviera Gaza” janë të njëjtët që kanë realizuar projektet miliardere të parashikuara në zonën e Nartës, Zvërnecit dhe Sazanit.
Por misioni nuk ndalet te Gaza dhe Shqipëria.
Nisja e flotiljes nga Brindisi ka edhe një dimension lokal. Organizatorët e kanë vendosur misionin në kontekstin e debatit që po zhvillohet në Puglia, veçanërisht rreth projekteve të mëdha turistike në bregdetin e Ostunit.
Një nga shembujt është projekti i resortit Four Seasons në Costa Merlata, Ostuni, i cili ka shkaktuar protesta dhe kundërshtime nga aktivistë që argumentojnë se zhvillimi mund të ketë ndikim mbi territorin, ekosistemin bregdetar dhe përdorimin publik të zonës.
Pikërisht këtu organizatorët shohin një vijë lidhëse mes dy brigjeve të Adriatikut: Ostuni nga njëra anë dhe Sazani–Zvërneci nga ana tjetër. Në të dyja rastet, debati nuk është vetëm për ndërtimin e një hoteli apo resorti, por për modelin e zhvillimit të një territori me vlera natyrore, turistike dhe komunitare. Një nga komitetet që mbështet nismën në Brindisi e ka vendosur këtë mobilizim në kuadrin e asaj që e quan “kolonizim të brigjeve” dhe ka lidhur drejtpërdrejt protestat në Puglia me mobilizimin shqiptar.
Puglia dhe Shqipëria janë dy brigje të të njëjtit Adriatik. Përmes këtij misioni, Global Sumud Flotilla kërkon të krijojë një lidhje simbolike mes betejave që zhvillohen në të dyja anët e detit. Më 20 gusht, tre anije do të marrin rrugën drejt Sazanit. Pas tyre, nuk do të jetë vetëm një grup aktivistësh, por një debat që tashmë po shtrihet në të dyja brigjet e Adriatikut: çfarë lloj zhvillimi duan komunitetet për tokat e tyre dhe kush duhet të ketë fjalën e fundit për të ardhmen e tyre?
PROGRAMI I PLOTË – 20 GUSHT, BRINDISI
Dita e mobilizimit do të nisë në mëngjes dhe do të përfundojë me nisjen e anijeve drejt Shqipërisë.
ORA 11:00 – KONFERENCË PËR SHTYP
Bar Betty, Viale Regina Margherita 6, Brindisi
Në orën 11:00 është parashikuar konferenca për shtyp e Global Sumud Flotilla dhe organizatave që mbështesin misionin.
Në konferencë pritet të marrin pjesë Tony La Piccirella, Global Sumud Flotilla. Yazan Issa, Global Sumud Klara Osma, aktiviste shqiptare; Bobo Aprile, Komiteti i Brindisit kundër genocidit të popullit palestinez, kundër riarmatimit dhe për paqen; Cosimo Quaranta, nga i njëjti komitet.
Konferenca do të shërbejë për të prezantuar misionin drejt Shqipërisë, arsyet e solidaritetit me “Flamingo Revolution” dhe çështjet politike e mjedisore që organizatorët duan të vendosin në qendër të debatit.
ORA 18:00 – “MUZIKË & FJALË”
Piazza San Teodoro d’Amasea, përpara Palazzo Montenegro
Në orën 18:00, aktiviteti do të zhvendoset në Piazza San Teodoro d’Amasea, ku do të zhvillohet një program me diskutime, dëshmi, muzikë dhe performanca artistike.
Në program janë njoftuar Prof. Luigi Cazzato, Rihab Charida, nga delegacioni grek i Global Sumud, Antonela Dedja, regjisore dhe aktiviste e diasporës shqiptare. Annatina Fanigliulo, ekonomiste.
Programi artistik do të përfshijë:
Giò Sada, Nick The Freak & Mr. Bogo y Los Amigos de la Suerte, Carlo Chicco, Fatmira Khan, Via Bovio, Rahma, Ugo Custodero dhe DJ Alberto Michele.
Organizatorët e kanë konceptuar këtë pjesë të ditës si një moment takimi mes komuniteteve shqiptare, italiane dhe ndërkombëtare dhe si një aktivitet solidariteti përpara nisjes së flotiljes.
ORA 22:00 – NISJA E ANIJEVE
Në orën 22:00, nga porti i Brindisit, pritet të nisen anijet e Global Sumud Flotilla drejt Shqipërisë, me destinacion Sazanin.
