Aktualitet

Fermerët protestojnë para Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë, derdhin qumësht në shenjë revolte (VIDEO)

Fermerët i bënë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë për zhbllokimin e situatës dhe mbështetjen e sektorit.

M.K.
Fermerët protestojnë para Ministrisë së
FOTO NGA PROTESTA E FERMERëVE Në KOSOVë

KOSOVË- Fermerët e sektorit të qumështit protestuan këtë të hënë para Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë, duke derdhur qumësht në shenjë revolte ndaj situatës së krijuar në këtë sektor.

Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: “Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit; Publikimin urgjent të rezultateve, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi produktet vendore; Kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave”. transmeton Klankosova.tv.

Ata paralajmëruan se, nëse nuk gjendet një zgjidhje sa më shpejt, pasojat do të jenë të rënda për prodhuesit vendas dhe për të gjithë zinxhirin e industrisë së qumështit. Fermerët i bënë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë për zhbllokimin e situatës dhe mbështetjen e sektorit.

“Jemi mbledhur para Ministrisë së Bujqësisë ne si shoqatë e prodhuesve të qumështit në përkrahje të fermerëve tonë, anëtarësisë sonë, pikave grumbulluese, të gjiihë akterëve, grupeve të interesit sepse ne jemi prodhues të këtij vendi dhe prodhojmë qumështin, për këtë vend, për këtë popullatë.

Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit duke njoftuar ministritë përkatëse lidhur me gjendjen e krijuar në këtë sektor dhe duke kërkuar të merren masa që garantojnë investime dhe siguri të produkteve tona që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe e gjithë regjioni. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të këtyre produkteve dhe na akuzoni neve pse ato produkte shiten nëpër raftet tona me çmime shumë të lira”, ka thënë përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve.

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit e organizoi këtë protestë si një hap të domosdoshëm përballë ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët. Kjo situatë po rrezikon seriozisht ekzistencën e shumë prodhuesve vendorë, duke e bërë reagimin e tyre të pashmangshëm.

 

Poll

MOS HUMB