TIRANË- Ka nisur protesta e 37-të kundër kryeministrit Edi Rama. Qytetarët janë mbledhur fillimisht në sheshin "Skënderbej", për të vijuar më pas me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë, ku po zhvillohet tubimi.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në javët në vijim, derisa, sipas tyre, të realizohet ky objektiv. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, si edhe shqiptarëve të diasporës, t'i bashkohen protestës dhe të mbështesin kauzën e tyre.
Kjo protestë vjen vetëm dy ditë pas tubimit kombëtar të zhvilluar më 4 korrik, ku morën pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Ishte hera e dytë që diaspora u organizua në Tiranë në mbështetje të kësaj lëvizjeje.
Më herët, më 20 qershor, qindra shqiptarë të diasporës u mblodhën në kryeqytet, duke përcjellë mesazhe për vazhdimin e protestave dhe duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI