LAÇ- Një atentat me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Laçit, ku mbeti i vrarë një 40-vjeçar. Viktima është identifikuar si Ilir Gjini, i njohur edhe me emrat Ilir Lika, alias Kokaj dhe alias Nure.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 22:10, në lagjen "Erdogan" të Laçit. Burime bëjnë me dije se 40-vjeçari u qëllua me 7 plumba teksa po hynte në banesën e tij. Dyshohet se autorët e kishin ndjekur deri në momentin kur kryen atentatin.
Sipas burimeve, autorët kanë hapur zjarr menjëherë pasi 40-vjeçari kishte parkuar automjetin e tij, ndërsa ai po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte. Edhe pse ka tentuar të largohet, ai është ndjekur dhe qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës.
Sipas njoftimit zyrtar, 40-vjeçari mbeti fillimisht i plagosur dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra dhe humbi jetën gjatë rrugës.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë mbërritën në vendin e krimit dhe nisën kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Njoftimi i plotë i policisë:
Rreth orës 22:10, në qytetin e Kurbinit, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit I.Gj alias I. L., alias I.K, alias I. N, rreth 40 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por ka humbur jetën gjatë transportimit.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.