
TIRANË-Është publikuar fotoja e Eraldo Muçit, një prej miqëve më të ngushtë të të ndjerit Aleksandër Sadikaj, i cili është zhdukur pa lënë gjurmë prej disa ditësh. Replika.al ka siguruar imazhin e Muçit, i cili rezulton i humbur që prej datës 15 qershor, kur ka pasur për herë të fundit kontakt me familjen.
Prej 15 qershorit, 30-vjeçari nuk është përgjigjur më në telefon dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë jete. Më 24 qershor, babai i tij, S. Muçi, 73 vjeç, ka bërë kallëzim në Stacionin e Policisë në Memaliaj, duke raportuar se prej 9 ditësh kishte humbur çdo kontakt me të birin.
Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj, "Sancho Farm", dhe më pas nga Tepelena është nisur për të udhëtuar drejt Durrësit, por nuk dihet se cili do të ishte destinacioni i tij final. Për herë të fundit është parë në autostradën Durrës-Tiranë dhe nga ai moment nuk ka asnjë të dhënë rreth tij.
Familja ka ngritur dyshime të forta se atij mund ti ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje, por policia nuk përjashton as pista të tjera. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e zhdukjes, ndërsa familjarët dhe të afërmit apelojnë për ndihmë për çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e 30-vjeçarit./ZËRI