
TIRANË-Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga qelia ka reaguar sërish në lidhje me dyshimet për përdorim të një karte bankare të padeklaruar. Kreu i PL ka publikuar përgjigjen e autoriteteve amerikane sa i përket përdorimit të në një karte të dytë e cila thuhej se ishte pëdorur nga Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Meta ka akuzuar SPAK për shpërndarje të informacionit të rremë me qëllim goditjen politike të opozitës dhe dëmtimin personal të figurës së tij.
Ilir Meta: Organizata kriminale SPAK vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve, për fat të keq edhe në Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), sikur gjoja autoritetet amerikane kanë përmendur emrin tim për një kartë bankare të padeklaruar. Në respekt të së vërtetës dhe të ligjit, por edhe të mos lejimit të mëtejshëm të diskreditimit me qëllim të autoriteteve amerikane nga ana e SPAK, vetëm në funksion të axhendës së Narkoregjimit për asgjësimin e opozitës së vërtetë politike, po publikoj sot të plotë përgjigjen e autoriteteve amerikane në lidhje me çështjen dhe përdorimin e kartave bankare.
SPAK është kaq i zbuluar në të gjithë aktivitetin e tij kriminal që nuk ka lidhje me hetimin, por vetëm me urdhrin politik të Edi Ramës nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, sa është i obsesuar të më mbajë mua të lidhur në çift me Monikën (SPAK njësoj si Pilo Peristeri që përpiqej të mbante çiftet me dhunë) duke shkruar qëllimisht edhe në akuzën zyrtare të 26 Majit statusin tim si i martuar, kur kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë.


Në raportimin e SPAK thuhet se vlera e shpenzuar nga Kryemadhi është mbi 240 mijë dollarë. Prokuroria e Posaçme ka administruar disa letër porosi nga disa shtete të huaja mbi pagesat që janë kryer me këtë kartë të dytë online bankare. Kryesisht pagesat e kryera nga deputetja janë për blerje në dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills, pagesa të qëndrimit në hotel në Londër, Neë York dhe Las Vegas si dhe bileta avjoni për udhëtimet.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI